E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Për heqjen e vizave paguajmë çdo çmim



Optimist për sinjalet pozitive që vijnë nga Brukseli, Kryeministri Sali Berisha u premtoi shqiptarëve se politika e papërgjegjshme e bojkotit të opozitës nuk do të mund t’i penalizojë për lëvizjen e lirë në vendet e zonës “Shengen”. Sipas tij, bojkoti i opozitës së drejtuar nga Edi Rama nuk do të prekë asnjë proces drejt BE-së, si për liberalizimin e vizave, ashtu edhe për procesin e anëtarësimit në familjen evropiane. Duke qëndruar tek bojkoti, Berisha akuzoi dje në Kuvend kryesocialistin Edi Rama se për interesa të ulëta ai po tenton të dënojë shqiptarët. Sipas Kryeministrit, Rama ka tentuar që në fillimet e opozitës së tij që të pengojë proceset e integrimit të vendit, duke kujtuar që nga bilbilat në Kuvend e deri në protestat kur vendi anëtarësohej në NATO, por Berisha garantoi se bojkoti i opozitës nuk do të prekë liberalizimin e vizave. “Me ketë bojkot që po bëni, nuk do të bllokoni asnjë proces të vetëm të integrimit të këtij vendi në BE pas heqjes së regjimit të vizave. Nuk mund të dënohet një vend, sepse do një individ”, - deklaroi Berisha. Duke qëndruar tek procesi i liberalizimit të vizave, kreu i qeverisë garantoi se qeveria do të paguajë çdo çmim për liberalizim sa më të shpejtë të vizave. Sipas tij, një e katërta e shqiptarëve ndodhen jashtë vendit dhe ky proces do të afrojë ata më afër vendit të tyre. Kryeministri vlerësoi vendimin e Parlamentit Evropian, duke thënë se tashmë vendi ndodhet më afër këtij qëllimi madhor. “Liberalizimi i vizave do të jetë dhurata më e çmuar që ne mund t’u japim shqiptarëve”, - tha Berisha.

Kreu i qeverisë vlerësoi zhvillimet e fundit ndërkombëtare, të cilat kanë vlerësuar performancën e Shqipërisë. “PE miratoi një rezolutë që kërkon, pas plotësimit të kushteve nga Shqipëria, që heqja e vizave të bëhet me urgjencë. Pra, jep mbështetje të plotë për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë. Dje, 27 vendet anëtare vendosën që kërkesën për statusin e kandidatit t’ia kalojnë KE-së për hartimin e opinionit, ndërsa të hënën, Shqipëria mori vlerësimet maksimale në luftën kundër korrupsionit”, - u shpreh Berisha. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri akuzoi qëndrimin e opozitës. Ai tha se Edi Rama dhe Spartak Ngjela kanë ndarë edhe gjëra intime. “Rama dhe Ngjela janë bashkuar, është dëshira e tyre, por ata kanë ndarë gjëra intime. Por, politika nuk është intimitet”, - u shpreh Berisha. Një tjetër akuzë e Kryeministrit ishte edhe spekulimi në tregun valutor pak muaj më parë pas një deklarate të tij për euronizimin e ekonomisë shqiptare. Berisha tha se grupe kriminale të lidhura me opozitën spekuluan në treg për të dëmtuar monedhën shqiptare. Lideri i mazhorancës së djathtë lëshoi edhe ofertën e tij të radhës për opozitës që ajo ë hyjë në Kuvend. Ai e ftoi atë të ngrejë një komision hetimor, të shikojë të gjithë procesin e zgjedhjeve, të hetojë financat e partive por kërkoi që askush nga politika të mos dalë mbi gjykatat dhe ligjin. “Askush nga ne nuk do të bëjë rolin e gjykatësit”, - deklaroi Berisha. Ai tha më tej se procesi zgjedhor përmbushi detyrimet ndërkombëtare të ngarkuara. “Zgjedhësit e këtij vendi, qeveria, autoritetet shtetërore dhe forcat politike, kurorëzuan procesin zgjedhor më të mirë në historinë e vendit. Kurorëzuan procesin në të cilin u aplikuan teknologjitë më moderne të identifikimit të qytetarëve, listave dhe numërimit të votave. U kurorëzua procesi në të cilin Kodi Zgjedhor u përcaktua nga opozita si rrallë ndonjëherë tjetër në historinë e këtij kontinenti”, - tha ai. Kreu i qeverisë shtoi se asnjë incident nuk u shënua në këto votime. “U realizuan zgjedhje përmes mediave të lira, të cilat nuk paraqiten para opinionit publik, vendas dhe të huaj, asnjë incident gjatë procesit. Këto zgjedhje ishin një festë për popullin shqiptar, duke parë pjesëmarrjen më të madhe në histori. Ishin zgjedhje në të cilat mandatet e deputeteve si asnjëherë u votuan nga të gjithë anëtarët e komisionit zgjedhor”, - deklaroi në fjalën e tij para Kuvendit kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›