Heqja e vizave, PE, Fajon: Tani është radha e shqiptarëve
Shqipëria nuk do të hasë asnjë pengesë në arritjen e objektivit për liberalizim vizash me vendet e zonën “Shengen”. Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash dje raportin e eurodeputetes Tanja Fajon, që parashikon futjen e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës në të njëjtën listë me tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë për heqjen e vizave me BE-në. Sipas këtij dokumenti, Shqipëria dhe Bosnja futen në listë për të përfituar liberalizim vizash sapo të plotësojnë kushtet, pa caktuar afate.
Ky vendim i Parlamentit Evropian heq pengesat politike dhe ligjore për Shqipërinë. Eurodeputetja Fajon tha se tashmë ka një objektiv dhe ai është që Shqipëria të përfitojë liberalizim vizash në 1 korrik të vitit 2010. Pavarësisht këtij afati, në rast se kriteret plotësohen më shpejt nga Shqipëria, Komisioni Evropian do t’i propozojë Këshillit të Evropës heqjen e vizave me Shqipërinë, sapo të vlerësojë se është përmbushur edhe pjesa e mbetur e kërkesave të udhërrëfyesit. “Ramë dakord me Këshillin dhe KE-në për një deklaratë të veçantë, ku ofrojmë përkushtimin tonë që të sigurohemi se nuk do të ketë asnjë vonesë në hyrjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë regjim të liberalizimit të vizave. Dëshiroj që qytetarët e Bosnjës të udhëtojnë pa viza, duke nisur nga korriku i vitit të ardhshëm. Ky është objektivi ynë, por varet edhe nga politikanët e këtyre vendeve për të përmbushur kushtet”, - deklaroi eurodeputetja Fajon në një komunikatë për media. Ajo tha më tej se vendimi për futjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në këtë rekomandim është historik. Sipas Fajon, nuk është e drejtë që këto dy vende të mbeten jashtë këtij regjimi, duke shtuar se ka mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve. Përfshirja e këtyre vendeve në listën e bardhë të “Shengenit” do të thotë se sapo ato të përmbushin kushtet, do të arrijnë pa vonesë tri vendet e tjera. “Gjatë këtij viti, KE do të dërgojë një mision ekspertësh në këto vende, ku do të vlerësohet puna e kryer. Shqipëria është në rrugë të mbarë në përmbushjen e standardeve teknike dhe besoj që deri në pranverën e vitit të ardhshëm do të përmbushë kushtet e duhura teknike”, - tha më tej Fajon në deklaratën e saj. Tri vendet e tjera të Ballkanit, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi do të lëvizin lirshëm në zonën “Shengen”, duke filluar nga data 19 dhjetor i këtij viti. Parlamenti Evropian ka kërkuar gjithashtu nisjen e dialogut të vizave me Kosovën, krijimin e një plani udhërrëfyes për lehtësimin e vizave dhe liberalizimin, një proces i ngjashëm me ato të vendosura për vendet e Ballkanit Perëndimor. Politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, siç është përcaktuar në axhendën e samitit të Selanikut, e cilëson liberalizimin e vizave si një hap drejt anëtarësimit përfundimtar në BE.