E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i Shqipërisë për në BE thyen bojkotin socialist



Bojkoti që PS me grupin e saj prej 64 deputetësh i ka bërë Kuvendit, do të thyhet nga të paktën 5 deputetë të kësaj partie. Ashtu siç kishin deklaruar më parë, ata nuk do të mungojnë në një prej seancave më të rëndësishme për integrimin e vendit dhe bëhet fjalë pikërisht për përcaktimin e statusit të kandidatit të Shqipërisë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Më 16 nëntor, këta 5 deputetë, që janë njerëz me peshë në PS, deputetë prej disa mandatesh dhe figura të rëndësishme të partisë, do të ulen në vendin që u takon në Kuvend. Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Kastriot Islami dhe Marko Bello do të bëjnë betimin për të mos humbur rastin që të jenë të pranishëm në një ditë historike për vendin. Ata ndërkaq u kanë bërë thirrje dje kolegëve të tyre, të cilët vazhdojnë të pajtohen me bojkotin e iniciuar nga kryesocialisti Edi Rama, i cili nuk është vetë deputet, që të ndjekin këtë shembull dhe t’i shërbejnë integrimit të vendit. Në një deklaratë të përbashkët të tyre dërguar mediave dhe drejtuar të gjithë deputetëve të tjerë të zgjedhur socialistë, thuhet: “U kërkojmë të gjithë deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit dhe të jenë të pranishëm në seancën kuvendore të datës 16 nëntor, me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrëse në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Duke marrë shkas nga vendimi i 27 ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian, 5 deputetët socialistë thonë se ditën e hënë, ata duhet të jenë pjesë e institucioneve parlamentare. Me anë të kësaj thirrjeje të hartuar nga deputetët e “Mendimit Ndryshe” synohet që edhe deputetët e tjerë socialistë t’i bashkohen nismës për të hyrë në Kuvend. Vendimi i pesë deputetëve ka qenë i paralajmëruar. Për disa ditë me radhë ata e kanë bërë të qartë se do të jenë në Kuvend në momente të rëndësishme të procesit të integrimit të vendit tonë. Nga ana tjetër, deklaratave të tyre kryesocialisti Edi Rama u ka dhënë përgjigje, duke u kujtuar statutin e partisë, i cili parashikon çregjistrim nga partia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›