Berisha: Për kutitë, PS t'i drejtohet gjykatës

Kryeministri Sali Berisha tha se zgjidhja për kutitë ekziston. Berisha komentoi edhe kandidaturat për gjykatat
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer qëndrimit të tij të hershëm se PS-ja duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për hapjen e kutive të votimit.
Duke marrë shkas nga deklarata e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Berisha është shprehur sërish dje gjatë një deklarimi për mediat se zgjidhja mund të vijë nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. "Unë mendoj se këtu ka një qëndrim tërësisht koherent.
Komiteti Presidencial e bëri këtë propozim në zyrën e Presidentit të Republikës dhe aty u ra dakord që Partia Socialiste të mund t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe ajo, në qoftë se e gjykon, mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias. Kjo është një praktikë për të cilën kemi qenë, jemi dhe mbetemi dakord. Natyrisht, kjo në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit", - tha dje Berisha.
Kryeministri deklaroi se ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore që kjo çështje të zgjidhet. "Në qoftë se ndahemi nga inatet, ekziston çdo mundësi ligjore për të zgjidhur tërësisht dhe për të bërë një transparencë të plotë, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
E kam theksuar dhe e theksoj edhe një herë se në Shqipëri, falë shtetit ligjor, nuk ekziston qoftë dhe një dokument i vetëm që nuk mund të deklasifikohet. Pra, i cili nuk ka procedurë se si mund të bëhet publik. Ky është vend i shtetit ligjor", - tha ai, duke shtuar se ai është në të njëjtën linjë edhe me deklarimet e ndërkombëtareve.
Kandidaturat
Berisha komentoi edhe procedurën e përzgjedhjes së kandidaturave nga ana e Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. "...Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes, këtë ia ka dhënë Kushtetuta dhe ka bërë shumë mirë që ia ka dhënë, sepse përndryshe do të ishte më e vështirë pavarësia, Parlamenti ka të drejtën e pëlqimit, por të gjitha këto janë shumë herë më të mira sesa procedurat vesh më vesh apo prapa kuintave", - tha ai.
Ndërkohë, edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka cilësuar përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese si të një rëndësie të veçantë.
Në një takim të zhvilluar me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, Presidenti Topi bëri një përshkrim të hollësishëm të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, si dhe të sfidave, me të cilat ky sistem përballet me qëllim konsolidimin e pavarësisë së tij dhe rritjes së profesionalizmit.
Në këtë drejtim, Kreu i Shtetit nënvizoi "rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit kushtetues të zëvendësimit të katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese."
Meta: Për kutitë të vendosë Venecia
TIRANË - Qeveria e ka propozimin gati për hapjen e kutive të votimit. Në të njëjtën linjë me kryeministrin Sali Berisha ka qenë dje edhe zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Pas referimit në Qendrën Europiane të Politikave në Bruksel, Meta është pyetur nga media mbi çështjen e kutive.
"Për çështjen e hapjes së kutive, për të cilat nuk ekziston një marrëveshje për shkak të qëndrimeve të ndryshme lidhur me atë të pajtimit apo jo me Kushtetutën, ne e kemi bërë të qartë që rruga e vetme për ta zgjidhur këtë çështje është që Opozita t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe të respektojë vullnetin e Gjykatës, ashtu sikurse kemi qenë të hapur, dhe e kemi bërë të ditur se ne do t'i nxisim që Opozita t'i drejtohet edhe Komisionit të Venecias", - tha ai.
Kjo është e njëjta kornizë që Meta do të paraqesë gjatë ditës së sotme në takimet me Komisionerin Fule dhe me Eurodeputetët.