Rama - Berishës: Hap kutitë ose largohu

Kryetari i opozitës ftoi dje qytetarët që të protestojnë në 30 prill
FIER - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka ftuar dje qytetarët e Tiranës, por edhe të Fierit që t'i bashkohen protestës së madhe në Sheshin "Skënderbej", ditën e Premte.
Ai ka vijuar dje takimet "derë më derë" me banorët e njësisë nr 9. Gjatë këtyre takimeve, Kryetari Rama ka shpërndarë fletëpalosjet dhe ka dëgjuar nga afër dëshmi të banorëve, të cilët kanë folur për rritjen e çmimeve, papunësinë, mungesat e dritave dhe ujit. "Hajdeni në 30 prill në shesh, sepse këtu nuk është punë demokratë apo socialistë.
Këtu është puna, popull me një qeveri që nuk e lë popullin me zgjedh. Ja merr votën edhe po s'ia dha populli dhe pastaj i thotë popullit më mbaj në kurriz, sepse unë do të dal të kërkoj borxhe. I kërkon borxhet që të rrijë në kurriz të popullit akoma, ndërkohë popullit i rëndohen borxhet", - u tha Rama, banorëve.
Ndërsa, dje pasdite, opozita ka protestuar në Fier. Kryetari i opozitës u shpreh se Berisha pasi vodhi votat e qytetarëve e ka futur Shqipërinë në rrugën e një tatëpjete ekonomike.
"Pasi u premtoi shqiptarëve 160 mijë vende pune, në vetëm 10 muaj për shkak të politikës së tij të mbrapsht shqiptarët kanë humbur edhe mbi 100 mijë vende pune", - tha Rama, gjatë fjalës së tij të mbajtur në Fier. Kryetari i PS-së theksoi para qytetarëve të Fierit se opozita nuk do të lejojë që Shqipëria të rrokulliset në një humnerë tjetër.
"Më 30 prill të ngrihemi të gjithë në Tiranë për t'i thënë ndal rrënimit ekonomik dhe për t'i kërkuar Sali Berishës që të hapë kutitë ose të largohet. Kjo kërkesë është për të mirën e Shqipërisë dhe të çdo shqiptari, që nuk jeton në pushtetin e oborrit", - tha ai.