E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Për ngërçin, jam në një linjë me ndërkombëtarët - zgjedhja e gjyqtarëve, një procedurë bashkëpunimi jo e re

Kryeministri Berisha i përgjigjet interesit të medias, pasi vizitoi ekspozitën kushtuar botuesit Ismail Mal’ Osmani, në Bibliotekën Kombëtare


Zoti Kryeministër, ç’mendim keni për deklaratat e Bordit të Asamblesë Parlamentare lidhur me Komisionin e Venecias?


Unë mendoj se këtu ka një qëndrim tërësisht koherent. Komiteti Presidencial e bëri këtë propozim në zyrën e Presidentit të Republikës dhe aty u ra dakord që Partia Socialist të mund t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe ajo, në qoftë se e gjykon, mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Kjo është një praktikë për të cilën kemi qenë, jemi dhe mbetemi dakord. Natyrisht, kjo në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.



Zoti Berisha, e shkuara shkruhet në këto libra që na kanë mbetur relike, ndërkohë që e ardhmja e historisë do të shkruhet në libra të tjerë. Për sa i përket ngërçit politik në Shqipëri, cili është mendimi juaj mbi deklarimet e bëra nga ndërkombëtarët për këtë ngërç?


Unë mendoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore. Në qoftë se ndahemi nga inatet, ekziston çdo mundësi ligjore për të zgjidhur tërësisht dhe për të bërë një transparencë të plotë, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. E kam theksuar dhe e theksoj edhe një herë se në Shqipëri, falë shtetit ligjor, nuk ekziston qoftë dhe një dokument i vetëm që nuk mund të deklasifikohet. Pra, i cili nuk ka procedurë se si mund të bëhet publik. Ky është vend i shtetit ligjor.



Atëherë, deklarimet për sa i përket deklarimeve të ndërkombëtarëve?


Unë mendoj se jam në një linjë me ta.



Zoti Kryeministër, cili është mendimi juaj lidhur me kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese?


Zonjushë, atë mendim do ta shpreh kur Presidenti i Republikës t’i paraqesë në përputhje me kompetencat e tij. Dekretimi i kandidatëve për në Gjykatën e Lartë është atribut tërësor i Presidentit të Republikës. Parlamenti, në përputhje me përcaktimin e Kushtetutës, ka tagrin e shqyrtimit të tyre. Ka vendosur procedurën e hearing dhe ka një disponibilitet për një procedurë sa më transparente. Unë mendoj se, jashtë kurioziteteve të tepruara, jashtë paragjykimeve, në Shqipëri është në konsolidim e sipër tradita më e mirë e emërimit të gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Presidenti ka hapur një procedurë, ka thirrur një komision, ka marrë një numër kandidaturash dhe kjo është gjëja më normale. Parlamenti ka përshtatur ligjin me një hearing. Unë mendoj se këto janë procedurat më moderne. Natyrisht, unë nuk them se këto janë tërësisht pa asnjë problem, por e vërteta është që të gjitha të tjerat kanë më shumë probleme sesa këto. Për mendimin tim, kjo është forma më transparente e procedimit. E kam mbrojtur dhe e mbroj me sinqeritet këtë standard, i cili, gjykoj unë, është në interesin më të mirë të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Në qoftë se Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes, këtë ia ka dhënë Kushtetuta dhe ka bërë shumë mirë që ia ka dhënë, sepse përndryshe do të ishte më e vështirë pavarësia, paralelisht ka të drejtën e pëlqimit, por të gjitha këto janë shumë herë më të mira sesa procedurat vesh më vesh apo prapa kuintave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›