E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajon: KE, jep propozimin për vizat në qershor

Deklaron raportuesja për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në PE, Tanja Fajon

Shqipëria ka marrë një vlerësim pozitiv nga zyra e Komisionit Evropin që merret me çështjen e vizave.
Jean Louis De Broëer, numri dy i zyrës së Komisionit Europian për çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjen, ka informuar eurodeputetët e Komitetit për çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlamentin Europian gjatë pasdites me progresin e bërë nga 2 vendet e rajonit.
Pas takimit me dyer të mbyllura për median, raportuesja për vizat, Tanja Fajon, publikoi një komunikatë për shtyp, ku mbështetet liberalizimi i vizave në fillim të vjeshtës, duke vlerësuar se kriteret e papërmbushura ende duhet të realizohen, deri atëherë, përkatësisht nga autoritetet e Tiranës dhe Sarajevës.
“Pres që Komisioni Europian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dy vendet jo me vonë se fillimi i qershorit. Por, shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve. Ata duhet të sigurojnë në kohën e duhur se janë në gjendje t’u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme”, u shpreh Fajon.
Eurodeputetja nënvizoi se Komiteti për çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlament ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen, si dhe trajtimin si çështje ‘urgjente’ sikundër është angazhuar dhe nëntorin e kaluar.
“Bosnja veçanërisht meriton sinjal pozitiv, tani më shumë se kurrë afër Brukselit”, thotë më tej, raportuesja Tanja Fajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›