“Kushtetuesja dhe Venecia, koncesioni i fundit i KiE-s për opozitën”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndet deklaratën e KiE-së
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e një ditë më parë të Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke e falenderuar Këshillin e Europës dhe Asamblenë Parlamentare të tij, për vëmendjen dhe përkushtimin e këtij institucioni “me të cilin parlamenti i Shqipërisë ka raporte bashkëpunimi shumë të mira të jashtëzakonshme në funksion të demokracisë dhe në funksion të proceseve integruese”, sipas Topallit.
Kryeparlamentarja deklaratën e KiE e konsideroi dashamirëse për Shqipërinë, pasi sipas saj, i bën thirrje të hapur opozitës t’i rikthehet jetës parlamentare
“është një deklaratë që është në të mirën e Shqipërisë që kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjvënës, e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ajo tha se mazhoranca e mbështet fuqishëm këtë deklaratë, pasi është bërë në të mirë të integrimit të vendit, në të mirë të liberalizimit të vizave.
Të gjithë sipas saj duhet ta lexojnë drejt atë.
Duke iu referuar kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve, Topalli tha se mazhoranca mbështet propozimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke shtuar se ky ka qenë një konçension i mëhershëm i shumicës parlamentare.
Ajo thekson edhe njëherë se deklarata duhet lexuar drejt, pasi përmban një thirrje të qartë, me një thirrje dashamirëse vetëm në të mirë të shqiptarëve, të Shqipërisë, të proceseve demokratike, të procesit të liberalizimit të vizave dhe të proceseve të tjera të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.