E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksioni që vjen nga zgjedhjet britanike

Transferimi i pushtetit ka qenë gjithmonë një migrenë për të gjithë sistemet politike dhe institucionale. Monarkitë e kanë zgjidhur me parimin e trashëgimisë, pra të transferimit nga babai tek i biri, ose, nëse dilte e nevojshme, nga babai tek vajza; Kisha katolike Romake e ka zgjidhur mijëra vjet më parë me liturgji të komplikuara dhe të fshehta siç janë Konklavat e kardinalëve; kurse demokracitë me mandat popullor, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë apo partitë politike, e kanë zgjidhur me Kongrese apo kooptimin e organeve drejtuese. Dhe sistemet që nuk e kanë zgjidhur, si për shembull diktatura, janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj rrezikut të ndryshimeve të papritura dhe efekteve traumatike të paparashikueshme.
Që sistemi të funksionojë më së miri, natyrisht, është e nevojshme që afër të ketë një lider që të përgatitet për ditën, kur një lider i parë të dalë nga skena. Zgjedhja ka emrin e Princit të Kurorës, grupit të kardinalëve që janë kandidatë të kualifikuar, apo numrit dy të partisë në pushtet apo asaj në opozitë. Prania siguron vazhdimësi, siguron mirëfunksionimin e makinerisë institucionale, por edhe siguron publikun. Nëse këto janë kushtet për të cilët sistemi të ecë pa probleme, ka disa raste kur numri dy ishte pothuajse i padukshëm dhe transferimi i pushtetit duket se ka ngecur.
Nuk mendoj se këtu mund të flitet për Kishën katolike Romane, ku referenca e trashëgimtarëve të mundshëm nuk do të thotë se nuk ka kardinalë të përgatitur që të kenë sukses. Nuk mendoj këtu se mund të flitet për SHBA-të, ku numri dy i shtetit u takon mekanizmave institucionalë të vendit dhe jo konventave kombëtare të partisë, megjithatë, nuk duket se ky mekanizëm është ndryshkur.
Ndërkaq, mendoj se këtu mund të flitet, sidomos, për disa demokraci europiane. Përshembull, në Itali, Silvio Berluskoni nuk ka një numër dy, por vetëm kundërshtarë të mundshëm a udhëtarë ambiciozë të legjislaturës, dhe për momentin nuk duket në horizont se dikush mund të jetë në gjendje ta sfidojë në qendrat e votimit. Në Francë, Nicolas Sarkozy e dominon vazhdimisht skenën dhe ka një konceptim të pushtetit mjaft të ndryshëm nga ajo e presidentëve paraardhës të Republikës të pestë. Nga Sharl de Gol deri tek presidenti i parafundit Zhak Shirak, i delegonin shumë kompetenca prezencës së Kryeministrit dhe duke e bërë kështu një kandidat-pasardhës të mundshëm; kurse sot Sarkozi pothuajse ndërhyn publikisht në të gjitha çështjet dhe mund të jetë - gjatë të njëjtës ditë - si Ministri i Brendshëm, i Ekonomisë, i Drejtësisë dhe Identiteti kombëtar. Kurse në Gjermani, Angela Merkel nuk ka ende, brenda partisë së saj, as trashëgimtarë, as delfinë-kandidatë për të marrë vendin e saj. Po ashtu në Spanjë, Hoze Luis Zapatero nuk ka asnjë pasardhës të dukshëm.
Sidoqoftë ka shumë mundësi që dukuria vjen për shkak të rastësisë së disa faktorëve. Sepse politika është tej mase e personalizuar dhe ka ardhur në një fazë ku aktori i parë dominon të gjithë skenën. Televizioni u jep liderëve të sotëm një lloj gjithë-pranie. Afërmendsh kriza financiare i ka rritur përgjegjësitë e tyre dhe për konsekuencë me shumë prani dhe shikueshmëri. A duhet që, ne, të fillojmë të shqetësohemi për shëndetin e demokracisë europiane?
Situata franceze dhe në fushata zgjedhore britanike duket se dëftejnë se ekspozimi i shumtë mund të jetë i dëmshëm për ata që kanë përfituar avantazhe dhe ka promovuar ata liderë që kanë qenë për shumë kohë në hije. Në Francë, prezenca e gjithanshme e Sarkozi-së ka bërë të përfitojnë më shumë figura diskrete dhe të sigurtë të kryeministrit nën drejtimin e François Fillon. Në Britani, televizioni, pasi është monopolizuar nga prania e Gordon Braun dhe liderit konservator David Kameron, çka ka bërë të zbulohet papritur në opinionin publik se ka liderë të shkëlqyer të tretë, kreu i Partisë Liberale-demokrate, Nick Clegg, i duartrokitur nga shumë vetë si ylli i ri në politikën britanike.
Nëse politika është teatër, gjykimi mbi aktorët varet në një analizë të fundit, nga spektatorët. Paçka se këto mund të ndërrojnë mendje.

Marrë nga revista italiane “Panorama”. Përgatiti L.Lita

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›