E Diel, 1 Nëntor 2026

Është në të mirën e Shqipërisë, opozita të bëhet pjesë e punimeve parlamentare

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndet deklaratën e KiE

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar sot në lidhje me deklaratën e një ditë më parë të Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke e falenderuar Këshillin e Europës dhe Asamblenë Parlamentare të tij, për vëmendjen dhe përkushtimin e këtij institucioni “me të cilin parlamenti i Shqipërisë ka raporte bashkëpunimi shumë të mira të jashtëzakonshme në funksion të demokracisë dhe në funksion të proceseve integruese”, sipas Topallit.
Kryeparlamentarja deklaratën e KiE e konsideroi dashamirëse për Shqipërinë, pasi sipas saj, i bën thirrje të hapur opozitës ti rikthehet jetës parlamentare
“është një deklaratë që është në të mirën e Shqipërisë që kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjvënës, e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit”
Topalli është shprehur se e mbështet fuqishëm këtë deklaratë, pasi është bërë në të mirë të integrimit të vendit, në të mirë të liberalizimit të vizave. Të gjithë sipas saj duhet ta lexojnë drejt atë.
“E mbështes fuqishëm këtë deklaratë, uroj që ta lexojnë me sinqeritet, siç është për t’u lexuar, ashtu siç është për t’u parë, se kujt i drejtohet, individualisht me një thirrje të qartë, me një thirrje dashamirëse vetëm në të mirë të shqiptarëve, të shqipërisë, të proceseve demokratike, të procesit të liberalizimit të vizave dhe të proceseve të tjera të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian. Jemi në një moment sfidash, Shqipëria është në pritje të vendimeve të mëdha që kanë lidhje me ngjarje të jashtëzakonshme dhe me aspiratën shumë shekullore të vendit tonë. është rasti që partia më e madhe opozitare ti përgjigjet kësaj apsirate të kombit shqiptar, të votuesve të tyre dhe të prirjes për të cilën 96 % e shqiptarëve e kërkojnë, e duan, e kanë qëllim, e kanë objektiv dhe do t’ja arrijmë” – përfundon deklarata e kryeparlamentares.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›