E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita e Edvinit kërkon një hajgare të paprecedentë në Europën Lindore të pasdiktaturës

Arlekinët shqiptarë, pas zgjedhjeve të monitorizuara me mjetet elektronike të dorës së fundit dhe të kontrolluara më së miri nga faktori ndërkombëtar, u xhindosën për atë katastrofë që pësuan partitë e vogla të së majtës shqiptare. Pas shpalljeve të përfundimeve zgjedhore, pas 28 qershorit të 2009-s, S. Ngjela dhe N. Ndoka ditën ku ta drejtojnë gishtin, - që s’dolën dot as deputetë, - sido që ishin kryetarë partish. Lexuesit e mbajnë mend se ishte E.Rama ai që i kishte katandisur në liliputë skeletikë, këta fluturakë nga dega në degë, nga e djathta në të majtën dhe parti më parti! Në këto kapërcime akrobatike, ia kishin kaluar edhe akrobatit të shkathët të Kolodit, Arlekinit. Personalizimi i zgjedhjeve nga E. Rama i la jashtë parlamentit edhe Gjinushin e Milon të cilët nuk shquheshin për kapërcime pindarike, por për ngulmimin nostalgjik ndaj nënës-parti, e cila kishte ndërruar emrin, për mbijetesë!
Pas qëndrimit të hapur zemërak ndaj humbësit Edvin Rama, këta e gëlltitën më vonë hidhërimin dhe iu bashkëngjitën, - se s’kishin rrugëdalje tjetër, - Edvin Ramës, duke bërë garë njëri me tjetrin se kush do ta bënte më tepër gojën kamare, duke e kaluar shkakun e humbjes nga e majta ambicioze e PS-së së Ramës te fituesit e zgjedhjeve. Këta të fundit detyrimisht do të quheshin humbës, përndryshe Rama do të duhej të jepte dorëheqjen si kryetar i PS-së.
Dhe kështu u jetësua kori i humbësve. U ngjiz, pra, fronti antidemokratik (si Fronti i mëparshëm i E. Hoxhës), që duhej të fshehte të gjitha të zezat e krimet e PK-së.
Tani Rama, i njohur për inkoherencat e tij, nga bubullimat e ekzaltuara fillestare në podiume në të cilat depërtonte i paftuar, në rrotullimin 180 gradësh, si ekzaltues i figurës së diktatorit E. Hoxha, në kodrat e Pezës. Kjo i vinte për osh jo vetëm asaj katërshes që përmendëm, por edhe nostalgjikëve të diktaturës së rrëzuar, vlaga e nostalgjisë të së cilës nuk duhej tharë.
Kjo propagandë kundër qeverisjes së re PD-LSI, u nxit fillimisht për hapje të disa kutive të votimit, pa mëtime të ndryshimit të raportit të forcave në parlament, gjer në thirrjet e tanishme për mosbindje civile. Por kundërthëniet hileqare nuk janë opake. Moskërkimi i ndryshimit të raportit të forcave në parlament, do të thotë pranim i legjitimitetit të parlamentit. Veçse bojkotimi i parlamentit, do të thotë mosnjohje e legjitimitetit të tij! Kontradiksioni është i dukshëm!
Kohët e fundit, nuk jemi më në kornizën e kundërthënieve. Me fjali gjysmë të mbuluara, madje edhe të hapura fare, kërkohet rrëzimi i qeverisjes, përmes ulërimave të rrugës.
Po të monitorohen deklaratat kundërkushtetuese të të çarturve për ta marrë pushtetin në tavolinë, po të shqyrtohen në filtrin e kritereve të demokracisë (ç’lejohet e ç’nuk lejohet në sistemin demokratik), del se këto stimulime rrugaçërish po vënë në provë durimin e demokracisë sonë të tanishme ndaj atyre që janë mësuar që të rrëmbejnë pushtete me dhunë (1997) dhe ta quajnë këtë gjëmë si lulëzim të demokracisë!
* * *
Spartak Ngjela duhet të ketë lënë një mbresë të thellë negative, në debatin përballë Artan Hoxhës, pardje, në emisionin e çanit. Opo s’i pushoi goja, duke folur për veten me përsëritje shurdhuese, gjatë kohës që e kishte ai fjalën, por edhe gjatë kohës kur fjalën e kishte Artan Hoxha. Ky i fundit e duroi me një sforcim stoik, për kohën e tij që i masakrohej pa pikë galjeje nga llafazani në shkallën sipërore, domethënë prej Ngjelës. Artani i ruajti nervat (që na u ngritën përpjetë neve, shikuesve para ekranit), me një etikë që kalonte edhe kufijtë e mirësjelljes. E kuptoi se kundërshtari i tij përballë, kërkonte një kohë televizive, që të ishte, së paku, pesë herë më e madhe, se koha e tij, në dispozicion. Kësisoj, që të dëgjohej zëri i Artanit, ky duhej të fliste në mënyrë tejet lakonike, përndryshe do të mbetej figurant në skenë!
Mund të përmendim frazën e thukët të A. Hoxhës: - Po na bëni një ligjëratë marksiste! Për t’iu kundërvënë kësaj fjalie, Taku mori sopraxhiro me periudha të tëra, që s’kishin të pambaruar. A. Hoxha priti kohën që Spartaku vuri gotën me ujë në gojë, se i ishte lodhur gabzherri dhe tha: - Thirrjet tuaja janë si ato të Manifestit të Marksit për proletarët që duheshin bashkuar për të rrëzuar demokracitë perëndimore!
Kjo thënie, i përkiste kohës televizive të Artanit. Por Taku e quante edhe këtë kohë si të vetën! Përse këta drejtues programesh nuk vënë mbi tryezë një sahat të dyfishtë shahu, për t’i nxjerrë këta dashurues të fjalëve të veta kakofonike, në ceitnot?
Meqë, me këtë rast, po i bëjmë një miniportret S. Ngjelës, i bëjmë një pyetje: - A e kupton ai se shumë shprehje të tij janë thirrje për marrje të pushtetit me dhunë? Le t’i lëmë mënjanë ato ultimatumet me tri ditë, pastaj tri javë e të tjera për rrëzim të qeverisjes dhe le të regjistrojmë vetëm ato slogane subversive, që do të lëshojë nga goja më 30 prill. ç’kujton ai? Se Demokracia nuk ka mjetet e saj të ligjshme për t’u mbrojtur nga një propagandë për marrjen e pushtetit me metodat leniniste ( të “kombinacioneve të mjeteve të ligjshme dhe të paligjshme për marrje të pushtetit me dhunë”)?
Përse nuk kërkoi me ngulm hapjen e kutive, kur Rama ia mori arrët (për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë) me një masakër abstenimesh, që mund të verifikoheshin në atë kohë? A e di ai të na argumentojë se përse aleati i tij i tanishëm, Rama, e mënjanoi kandidaturën e tij, në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar? Meqë në kushtet e tanishme është në pozicion të vasalit, me siguri që do ta dridhte, - siç e ka bërë zakon, - që të na jepte një përgjigje nëse i miraton ato fotot e diktatorit Enver në muret e brendshme të selisë së ministrisë së Jashtme? Apo ultramajtisti Milo tani na qenka aleat me të ashtuquajturin djathtist siç vetëquhet Spartaku? ç’mendim ka për ato ovacionet me autorësi të E. Ramës, me rastin e 16 shtatorëve, që mund të evidentoheshin si tradhti e Enverit ndaj Konferencës së Pezës, me urdhër të Miladin-Dushanit? Me që është “i bredhur” dhe tani as që do t’ia dijë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave Scengen për shqiptarët, a mund të ndodhin në Gjermani, për shembull, manifestime të tilla për t’i bërë fresk diktatorit gjerman që vrau veten?
A e di S. Ngjela se kemi një shkelje me të dy këmbët nga ata që nuk e respektojnë Rezolutën e AP-së së KE-së prej atyre forcave politike enveriste, në të cilat ai është pjesëtar “i përgjëruar”, pavarësisht se në ring nuk del dot veçse me peshën (zgjedhore) të puplës? Nëse do të kishte mundur të bënte karrierë në PD-në ,- pozicioni i tij si zëdhënës i PD-së dhe fakti që doli deputet në listën e PD-së, paskëshin qenë të pamjaftueshme, - po t’i jepej posti i Ministrit të Drejtësisë, a do të nxirrte nga goja më tej ata kërcunj që mezi ia mban goja?
Nga të gjitha ndërrimet e partive që janë në analet e bishtpërdredhjeve të Ngjelës, më e shëmtuara është ajo e orvatjeve të tij për të marrë kreun e partisë zogiste . Meqë e dalluan si mish me erë dhe nuk e futën Kalin e Trojës brenda mureve, ai na del tani dhe na flet për autokracinë e Ahmet Zogut I. Tani është aleat i Ardian Klosit dhe kundërshtar i Murat Bashës. Këtij të fundit i erdhi në majë të hundës që Klosi e nxiu të gjithë epokën historike të ndërtimit të shtetit ligjor të A. Zogut dhe ia përplasi Klosit: - Bilbil Klosi më ka vrarë gjyshin! Për ata që s’kanë pasur rastin ta ndiqnin këtë sekuencë, po shtoj edhe një rresht: A. Klosi u shtrembërua në fytyrë, lëvizi trupin me përçmim dhe tha: - “Hë mo, edhe ti, me gënjeshtrat e tua!”. Sikur Taku të ishte edhe ai në atë panel, ç’qëndrim do të mbante në këtë episod; në daljen në anë të Bashës, si “simpatizant” i Zogut, apo në anë të A. Klosit, si nihilist fanatik?
Taku kërkon të bëjë ekzibicion! Duke mbledhur të katër gishtat e dorës së djathtë me përjashtim të gishtit tregues, (ndonëse bën politikën e së majtës së skajshme), e ngre dhe e ul atë dorë vertikalisht, sikur kërkon të na shpërfaqë xhevahiret e Aristotelit! Dhe shumë nga sofistifikimet e tij të zbrazëta nga përmbajtja, fillojnë me: - “A e di ti se?...”. Ose: “A e di ti se ç’ka thënë filani për këtë çështje...?”. Ai do të donte një përgjigje, në formën e një pyetje të kallëpit të tij: “A e di ti se kush ka qenë Budu Midvani dhe çka thënë ai para se të ekzekutohej? [ Për dijeni të lexuesit, ka qenë një gjeorgjian, shok armësh i Leninit, i pushkatuar nga Stalini, në luftën për pushtet diktatorial. Fjalët e fundit të tij, para ekzekutorëve: “Stalini duhet të dijë se pas Dantonit, i erdhi radha Robespierit!”. Në këtë alegori, Dantoni nënkupton buharinistët e djathtë, të vrarë nga Robespieri, që përfaqëson vetë Stalinin. (Nga libri i Autorkanovit, me titullin “Helmimi i Stalinit prej komplotistit Beria”). Këto “maniera” vulgare për të shitur erudicion, të kujtojnë dy miq të pasur, njëri më injorant se tjetri që, në kohën e pleqërisë, shtynin kohën me llafe boshe. I pari kishte “kulturë” revistash dhe ishte mendjemadh. I dyti përtonte të lexonte qoftë edhe revistat, por ishte dinak. I pari i thotë të dytit: “Unë do të të bëj pyetjen. Po e gjete do të të jap 100 napolona. Po s’e gjete, do të më japësh një napolon”. Filloi i pari, nga të dhënat e disa revistave, që i kishte mësuar përmendsh. Në të katër-pesë pyetje-përgjigjet e para i dyti humbi pesë napolona. Pastaj pyeti i dyti: -“ç’është ajo që ecën me duar, fluturon me këmbë dhe flet me hundë?”. U mendua shumë ai megalomani i revistave dhe në fund u dorëzua: - Nuk e di, pa thuaje ti? –As unë nuk e di, na napolonin. Më jep edhe ti të 100 napolonat!
Kështu ishin edhe ato rebuset e Takut, me zezakët e jugut që luftonin për lirinë e tyre në kohën për të cilën Harriet Biçer Stoue shkruante për Kasollen e Xha Tomit! Ai nuk e dëgjonte kundërveprimin e Artanit për absurdin e krahasimit të legjitimitetit të luftës për liri të të shtypurve ndaj padronëve, me “legjitimitetin” e luftës së Edit, që kërkonte skeptrin e kreut të PS-së, ndonëse kishte shkelur nenin 28 të statusit të partisë së tij! Në të dy ngjarjet është e përbashkët fjala luftë! Domethënë Taku kërkon luftë, se nuk doli deputet, paçka se partia e tij me një emër pseudodemokratik është, në të vërtetë, një parti anarkiste, që nuk përligjet, në çdo anë që ta marrësh, me konceptet demokratike të një shteti demokratik.
Ai, si ideolog grotesk, si edhe ata ish-mëkatarë që i besojnë, sa s’po e thonë hapur që nuk i meritojmë vizat, as aderimin në komunitetin europian. Dhe falsifikojnë ashiqare: “Faktori ndërkombëtar na përkrah për bojkotin, për bllokimin e parlamentit, për manifestimet rrugore”. Mbajnë veten me gajret! Duke shfrytëzuar edhe lirinë, që po e shpërdorojnë.
Ndërkaq duhet thënë se kjo veprimtari e datës 30, e shtuar më vonë me plus datën 1 të majit, kur këtë datë e kishte zënë PD-LSI-ja me koalicionin e saj, është një dëshmi se janë provokatorë, që kërkojnë turbullira. Sikur ai manifestimi prej 500 mijë vetash të ishte bërë, për sfidë, në kohën e manifestimeve çalamane të Ramës, çdo të thoshin këta “demokratë” të marrjes së pushtetit pa zgjedhje?
Lajmi i fundit fare, ndërsa po mendoj mbylljen e këtij shkrimi: Komisioni Europian ka dalë me një deklaratë me udhëzimin që bojkotuesit t’i drejtohen Komisionit të Venecies, për paqartësitë në lidhje me kutitë e votimit. Por, si gjithmonë, daullja bie në vesh të shurdhit!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›