Berisha: Perandoria otomane është arkivuar, tani na lidh miqësia
Kryeministri Berisha gjatë një takimi në Forumin turko-shqiptar të biznesit e ekonomisë, ka thënë se historia e Perandorisë otomane, në të cilën Shqipëria ka qenë e pushtuar, është e arkivuar. Sipas tij, tashmë kemi një histori miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.
Perandoria është arkiva, por ajo që është madhështore është historia e miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë mes dy kombeve dhe vendeve tona të lidhura me qindra dhe mijëra fije, por të lidhura pa diskutim edhe me lidhje të fuqishme, pasi në këtë tokë, në këtë vend jetojnë më shumë shqiptarë se në çdo rajon tjetër të planetit. Këto lidhje, kjo histori është frymëzuese për horizonte të reja bashkëpunimi, për potenciale të tjera të mëdha të bashkëpunimit në të gjitha fushat, ka thënë Berisha.
Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Berisha pohoi se shqiptarët kanë pasur një rol kyç në Perandorinë otomane.
Lidhjet tona shkojnë në shekuj. Perandoria otomane nuk ishte de juro një perandori duale, por de fakto ishte pothuaj e tillë. Shqiptarët luajtën në perandori një rol ndër më kryesor, çuan zhvillimin e saj në 4 skajet e Azisë, si elitë ushtarake e shkëlqyer e perandorisë në Afrikë dhe në zona të tjera, tha Berisha.
