Berisha: Përgjegjës për 3 viktimat është Edi Rama
TIRANË- Në orën 19:30, Kryeministri Sali Berisha deklaroi në një konferencë të posaçme për shtyp se në asnjë çast ai nuk e kishte çuar ndër mend që të jepte dorëheqjen, pavarësisht situatës së djeshme. Kreu i ekzekutivit shtoi se, zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen vetëm në vitin 2013, duke fajësuar për situatën e djeshme tre politikanë, Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe Skënder Gjinushin. “Zoti Rama do të mbajë të gjithë përgjegjësinë për këtë që ka ndodhur dhe unë e garantoj se do mbajë përgjegjësi të plotë për këtë që ka ndodhur, jap garanci të plotë për këtë dhe përgjegjësi shumëplanëshe”, - tha dje Berisha, i pyetur nga mediat. Kryeministri Berisha tha se mazhoranca do të mbrojë ligjin dhe shtetin ligjor, teksa u pyet për protestën tjetër të paralajmëruar nga opozita. “Ligji, ligji dhe vetëm ligji. Cilido që do të guxojë të shkelë ligjin do të përballet me pasojat e tij direkte. Ky është absolutisht qëndrimi i vetëm. E ftoj zotin Rama, të mos provokojë popullin shqiptar, të mos provokojë shoqërinë shqiptare, të mos provokojë ata të cilët kanë votuar të lirë, se do të gjejnë vështirësi të mëdha. Kurse unë, nuk kam përgjigje tjetër, përveçse ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit”, - tha ai. Kryeministri theksoi se Policia e Shtetit do të bëjë detyrën e saj dhe se skenari i dhunës nuk do të tolerohet gjatë. Berisha përjashtoi çdo mundësi diskutimi me Ramën për zgjidhje politike, sa kohë që opozita, sipas tij, do të kërkojë që t’i arrijë zgjidhjet me forcë. Kryeministri deklaroi gjithashtu se tre të vrarët dje gjatë demonstratës nuk janë përgjegjësi e policisë, por e kryetarit të opozitës, Edi Rama. “Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit tunizian, mbi pinjollët e benalive shqiptarë.Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta, familjarëve të viktimave , theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar, nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura.Përshëndes, ndonëse në fatkeqësi, familjarin e njërit prej këtyre viktimave, i cili do t’i thoshte në Spitalin Ushtarak, njërit prej këtyre drejtuesve kryesorë të kësaj dhune i tha: largohu kriminel na vrave vëllanë dhe kjo është e vërteta, në prani të personelit dhe do ta nxirrte jashtë nga dhoma. Motra e shkretë megjithëse kishte në gjendje shumë të rëndë vëllain, por nuk kishte humbur arsyen i dha atë që meritonte,këtij shoku”, - tha Berisha. I pyetur gjerësisht mbi këtë deklaratë, Berisha shtoi: “Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta. Por kjo do të faktohet shumë thjesht, sepse në të gjitha rastet plumbi nxirret, ka qenë aq i dobët sa nuk ka përshkruar dot shtresat. Madje thuhet, po t’i shohim se janë me silenciator. Këto janë të dhënat e deri tanishme që akuzojnë direkt skenaristët, por megjithatë, këtu do të ketë do të ketë një hetim, një ekspertizë mjeko ligjore serioze që do të nxjerrë të gjithë të vërtetën. Edhe njëherë plumbat janë në vend dhe është shumë e thjeshtë të gjendet, pasi armët janë të regjistruara të gjitha. Është shumë e thjeshtë të gjendet se është siç thotë opozita, apo është e kundërta e saj. Policia nuk mban snajper, janë të ndara detyrat. Nuk mohoj se ka pasur snajpër, institucionet do të mbrohen me çdo kusht. Kurrë këto institucione nuk do të mund t’i dhunojë njëri, mjerë ai që gabon”. Kryeministri tha gjithashtu se e ka ndjekur demonstratën e djeshme nga afër, pikërisht në zyrën e tij. “Unë dua t’ju informoj duke mirëkuptuar tronditjen tuaj se institucionet e këtij vendi kurrë nuk ka bandë as bandit, puc e as puçist që do të mund t’i marrë ato. Kryeministri juaj ka qëndruar nga ora 2:30, pasi u ktheva nga një drekë që kisha me ambasadorin e një vendi mik dhe deri në këtë minutë, në zyrën dhe detyrën e tij. Kanë qëndruar në kryeministri i gjithë stafi dhe punonjësit e kësaj kryeministrie, por dua të theksoj se kanë qëndruar në krye të detyrës dhe në zyrat e tyre të gjithë drejtuesit, në mënyrë të veçantë drejtuesit e atyre institucioneve, të cilat skenaristët kishin parashikuar t’i pushtonin. Ka qëndruar dhe është në detyrë, Kryetarja e Parlamentit, kanë qëndruar dhe janë në detyrë ministrat...”,- tha Berisha