Historitë e tre qytetarëve të vrarë në demonstratë
Tre persona kanë vdekur nga armët e zjarrit gjatë demonstratës së djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjendja paraqitet e rëndë edhe për të paktën dy persona, të cilët janë në luftë me jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se viktima e parë është 44-vjeçari Zyber Veizi, nga fshati Zenelaj i komunës Cepo në Gjirokastër. Prindi i dy fëmijë, i divorcuar përpara disa vitesh nga bashkëshortja, njihej si mbështetës aktiv i Partisë Socialiste. Bashkëqytetarët e tij thonë se ai ka qenë mbështetës i hershëm i PS-së në Gjirokastër, i cili ka marrë pjesë edhe në protestat e tjera që opozita ka organizuar gjatë vitit të kaluar, duke udhëtuar nga Gjirokastra për në Tiranë. Edhe mëngjesin e së premtes ai i është bashkuar anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së që kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar nga Gjirokastra për në Tiranë. Aktualisht, ai punonte në sektorin privat, pa pasur një profesion fiks.
Viktima e dytë mësohet të jetë Hekuran Deda, i cili është banor i fshatit Laknas në Tiranë, pasi ka ardhur nga zona e Kalasë së Dodës. Referuar të njëjtave burime, mësohet se viktima e tretë është Faik Myrtaj, 50 vjeç, nga fshati Kreshpan i Fierit. Myrtaj, babai i dy fëmijëve, ka qenë personi i pa identifikuar deri në orët e vona të natës dhe vetëm pasi është bërë verifikimi në morg, është bërë e mundur që ai të identifikohet nga të afërmit. Ndërkohë, gjendja në Spitalin Ushtarak paraqitet tejet e rënduar, ku të paktën 2 persona janë në gjendje kritike për jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur.