E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Protesta në rrethe, do i kërkojmë popullit të shpëtojë Shqipërinë

Deklarata të forta kanë ardhur dje nga kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, ndërsa gjatë një intervistë televizive ai ka deklaruar se do kërkojë përhapjen e protestave në të gjitha qytetet e vendit. “Tani do bëjmë tryezën e opozitës, të tërë nëpër rrethe do shkojmë, nuk ka Tiranë më. Nëpër rrethe popullit do i kërkojmë të shpëtojë Shqipërinë nga një rrezik banditësh. Zëvendëskryeministri i kapur me vjedhje, Kryeministri vjedh edhe thotë që e keni vrarë ju, vjedh dhe thotë keni vjedhur ju”, ka deklaruar dje Ngjela. Nga ana tjetër, kreu i PLD-së ka deklaruar se opozita disponon prova shkencore që tregojnë se viktimat janë ekzekutuar me snajperë. “Një Kryeministër i tillë, që flet ashtu në Parlament dhe vret katër veta me snajper. Ne kemi marrë disqet që do t’i nxjerrë Rama tani, disqet e skanerave të të vrarëve, janë 14mm plumb, janë snajper edhe pozicioni është nga godina e Parlamentit. Asnjë njeri nuk bindi Kryeministri. E vetmja mënyrë për të shpëtuar ky njeri nga urrejtja popullore është që të japë dorëheqjen dhe të shpëtojë për veten dhe jo të nxjerrë palavinë prej rrugësh, spiunët racë spiunësh. Është çështje shumë serioze”, tha Ngjela. Sipas tij, tashmë ka nisur një proces i pakthyeshëm deri në heqjen me çdo kusht dhe çdo çmim të kryeministrit Berisha. “Nuk ka më nesër. E nesërmja është proces, sot filloi një proces. Sot e pashë vetë, do iu flas si gazetar. Pashë që shqiptarët kanë një trimëri që nuk pyesin nga kjo piramidë banale. Kjo më bën optimist. E dyta. Pashë 200 deri 300 mijë shqiptarë që derdheshin si lumë për votën e lirë dhe kundër korrupsionit. Unë kam duruar gjëra shumë më të rënda se kjo, kurrë nuk kam parë një masë kompakte të tillë, të tjerat janë broçkulla. Unë bëj thirrjen time, jam i vendosur deri në fund se kjo është tirani”, tha dje Ngjela.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›