Basha: Kemi filmuar çdo veprim, policia nuk ka qëlluar me municion luftarak
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka pohuar dje se të gjitha veprimet e ndërmarra dje nga ana e policisë së Shtetit dhe Garda e Republikës, janë të regjistruara dhe do t’i vihen në dispozicion prokurorisë. “Organet e prokurorisë do të zbardhin çështjen. Përgjegjësit e kësaj ngjarjeje do të vihen para ligjit. Materialet e regjistruara i ka prokuroria. I gjithë operacioni i djeshëm, i cili kishte si qëllim mbarëvajtjen e protestës janë të regjistruara, duke përfshirë urdhrat dhe kanalet e radiomarrësve. Të gjithë shqiptarët kanë parë se kush provokoi dhe cili ishte provokimi, një grup u shkëput ashtu si i kishte instruksionet, të drejtuar nga ai që ishte në qoshe. Për t’u treguar shqiptarëve se qenka policia që ka provokuar, është një përpjekje e dëshpëruar, që sot është më lakuriq se kurrë para syve të shqiptarëve. Rama është përgjegjës i vetëm për atë që ndodh. Rama nuk do t’i iki kurrë kësaj përgjegjësie”, ka pohuar Basha. Po kështu ministri i Brendshëm ka pohuar se “policia e shtetit nuk ka shtënë me armë zjarri dhe municion luftarak. Garda e Republikës në disa momente ka qëlluar me fishekë manovre në ajër”.
“Ata hoqën dorë nga protesta paqësore dhe nisën një sulm ndaj forcave të policisë, që ishin në detyrën e tyre duke mbrojtur institucionet. Në mes të kësaj turme, duke nxitur këtë provokim, ndodheshin drejtuesit dhe organizatorët, deputetë të PS-së, ndërsa në një kulisë ndodhej kumbari, organizatori, kreu i PS-së, Edi Rama, i cili tregoi se nuk di të komunikojë. Kjo ishte një përpjekje e turpshme kriminale dhe barbare për të destabilizuar, për t’u dhënë gjuhën e dhunës. Kjo tentativë dështoi me turp, pasi këta huliganë të frymëzuar nga kjo klikë antipolitikë për të bërë akte kriminale dhe terroriste nuk mund të përfaqësojnë kurrë shumicën, pasi përfaqësojnë grupet kriminale”, ka vijuar më tej ai. “Policia e shtetit dhe garda treguan me përkushtimin dhe gjakftohtësinë e tyre se e meritojnë integrimin në BE. Kam marrë përgëzimin e homologëve për profesionalizimin. Por 3 qytetarë kanë humbur jetën. Dua t’u shpreh ngushëllime familjarëve, nuk do të lëmë asgjë pa bërë për ta zbardhur këtë ngjarje. Sot është një humbje për kryerrugaçin, i cili mundohet t’u flasë shqiptarëve me gjuhën e dhunës. Nuk do t’i nënshtrohemi kësaj përpjekjeje kriminale të drejtuar dhe të ekzekutuar nga Edi Rama, i cili do të marrë peng qytetarët. Kanë përdorur 200-300 persona që kanë përdorur drogë, protestuesit janë në fund apo nga mesi i mitingut, të cilët largohen se nuk bëhet fjalë për një protestë”, ka përfunduar ministri i Brendshëm.