Berisha: Përkushtim personal edhe më të madh për anëtarësimin e vendit tim në BE

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas ngritjes së flamurit shqiptar në selinë e NATO-s, në Bruksel Në përfundim të ceremonisë së ngritjes së flamurit në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Bruksel, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri kroat Ivo Sanader dhanë një konferencë për shtyp për përfaqësuesit e medias shqiptare, kroate dhe të shtypit ndërkombëtar, në një nga sallat për shtyp në selinë e NATO-s. Kryeministri Berisha, në fjalën e tij u shpreh: Ne morëm pjesë në këtë ceremoni solemne, historike e të papërsëritshme, të ngritjes së flamujve tanë, krahas flamujve të vendeve më të lira e të fuqishme të planetit, anëtare të NATO-s. Unë shfrytëzoj këtë rast, për t’i përcjellë urimet më të përzemërta popullit mik kroat, mikut tim Ivo Sanader, Presidentit Mesiç, qeverisë dhe autoriteteve kroate, me të cilët ne ndajmë gëzimin, solemnitetin, madhështinë historike të kësaj dite, me të cilët ne ndajmë ndjenja dhe lidhje të thella miqësore kombëtare, ndajmë projektet tona të përbashkëta për një të ardhme më të lirë, më të mirë dhe të sigurt në NATO dhe Bashkimin Europian. Dua të theksoj se unë i jam mirënjohës qeverisë kroate, popullit mik kroat, sepse bashkëpunimi me Kartën Adriatik 3, të themeluar në Tiranë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shndërrua në një mekanizëm që solli suksesin e sotëm, që ne festuam. Dita e sotme është një ditë që do të mbetet gjithmonë në historinë e një kombi. Sot, flamuri ynë, një flamur që udhëhoqi dhe shoqëroi në mënyrë të pandalshme kombin tonë dhe fatin e tij, një flamur, i cili në kohëra të shkuara u priu shqiptarëve për të qëndruar të pamposhtur në mbrojtje të vendit dhe vlerave të tyre, një flamur që, kur kombi ra në robëri, fjeti për t’u zgjuar edhe një herë më pas, edhe më i bukur, më madhështor, më i gjallë dhe për t’u prirë sërish shqiptarëve në betejën e tyre për pavarësinë, në betejat e tyre kundër pushtimeve, në betejat e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. Ndaj ishte një fat i madh për mua të asistoja dhe ta shoqëroja në momentin, kur ky flamur do të ngrihej më lart se kurrë në historinë e tij. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën kurorëzimin më të shkëlqyer të të gjitha përpjekjeve të vendit tonë për të zënë hapësirën që i takon në gjirin e kombeve të qytetëruara. Pasi u ktheva nga Strasburgu, të nesërmen Tirana ishte në festë, por çfarë feste! Kurrë ndonjëherë nuk kam parë gëzim të atillë në sytë e fëmijëve, të të rriturve, të rinjve, të rejave, të moshuarve, siç kam parë në sheshet dhe rrugët e Tiranës, në datën më 5prill, teksa festonin anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Gëzimi dhe entuziazmi tejkalonte çdo parashikim. E vërteta ishte se kjo vinte nga respekti, dashuria dhe ndjenja e sigurisë së tyre, të një kombi që kishte vuajtur në tërë historinë e tij, më shumë se çdo vend tjetër për sigurinë, paqen dhe stabilitetin. Ndaj kjo ditë është ditë e madhe e historisë sonë kombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, valëvitja e flamurit kombëtar shqiptar, krahas flamujve të tjerë të vendeve aleate, hap për Shqipërinë një epokë të re, epokë në të cilën shqiptarët do të mund të ndërtojnë të sigurt të ardhmen e tyre në liri, i jep vendit tim një pasaportë të re, pasaportën e besimit botëror ndaj saj. Gjatë viteve që shkuan, teksa sodisja vendin tim të varfëruar në ekstrem nga diktatura, natyrisht, çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë të punë sime mendoja për investime, investime dhe investime, për të mbushur atë boshllëk të tmerrshëm që kishte lënë diktatura. Por, tek shihja konfliktet përreth, luftërat, spastrimet etnike, të gjitha këto qëndronin si shpatë e Demokleut mbi investitorët dhe investimet e huaj, për të ardhmen në Shqipëri. Tani, jo vetëm Shqipëria dhe Kroacia janë vende të sigurta njëherë e përgjithmonë, por i gjithë Ballkani është dy herë e më i sigurt, se sa ishte më parë. Ndaj duke i shprehur edhe një herë mirënjohjen më të thellë Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut Jaap De Hoop Scheffer, vendeve anëtare të Aleancës, shpreh vendosmërinë time që të punoj me përkushtim për konsolidimin e vlerave të demokracisë dhe ekonomisë së tregut, reformat e thella në Forcat e Armatosura, në mënyrë që Shqipëria ta shndërrojë këtë anëtarësim në një motiv të madh, të mundësive për të shfrytëzuar pasuritë e saj, si një platformë të fuqishme për të ecur më shpejt drejt BE-së. Unë i siguroj qytetarët shqiptarë se përkushtimin që kam pasur për anëtarësimin e vendit tim në NATO do ta shumëfishoj edhe më tej, drejt integrimit të vendit tim në BE, për liberalizimin sa më shpejt të vizave, për të cilën qytetarët shqiptarë kanë nevojë që të ndihen si qytetarë të këtij kontinenti. Faleminderit. Zoti Kryeministër, ju e quajtët festa e lirisë, por për vende të tjera, të cilat kanë vuajtur si Shqipëria, si Kosova, Bosnje-Hercegovina etj., cili do të jetë kontributi juaj që ato t’i bashkohen kësaj Aleance? Kryeministri Berisha: Anëtarësimi i dy vendeve tona sot është një ogur shumë i mbarë për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Ne do të jemi avokatët më të mirë të tyre, sikundër do t’i japim çdo ndihmë të mundshme që procesi i integrimit të tyre drejt NATO-s të eci me hapat e merituara. Zoti Kryeministër, ju përmendët Kartën Adriatik 3, çfarë do të bëni për të përmbushur boshllëkun e vendit të tretë që mungon sot, që është Maqedonia? Kryeministri Berisha: Karta Adriatik 3 në të vërtetë është Adriatik 5, janë shtuar Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Për sa i përket problemit të emrit dhe diskutimit që ekziston midis dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, ne shpresojmë që ky problem të zgjidhet në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe të mbarë rajonit. Maqedonia e ka vendin të sigurt në Aleancën e Atlantikut të Veriut, pritet vetëm zgjidhja e problemit që ka me Greqinë. Meqenëse përfaqësimi i Shqipërisë në NATO do zgjerohet, mund të na shpjegoni se si do të përzgjidhet stafi që do të punojë tashmë në NATO? Kryeministri Berisha: Shqipëria këtu ka një mision të shkëlqyer, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe për të cilën, dua të falënderoj publikisht dhe t’i shpreh vlerësimin tim më të madh ambasadorit të Shqipërisë në NATO dhe përfaqësisë ushtarake, gjeneralit dhe të gjithë ekipit të tyre. Natyrisht, kalimi i Shqipërisë si vend anëtar kërkon që përfaqësitë e tyre të plotësohen me të gjithë ekspertët e funksionarët zyrtare, si dhe me të gjithë teknologjinë më të fundit që meriton kjo anëtarësi. Shqipëria nuk do të kursejë asgjë për t’i dhënë mbështetjen përfaqësisë së saj këtu, që të përmbushë të gjithë detyrimet që rrjedhin nga përfaqësimi i Shqipërisë si anëtare e plotë në NATO.
...