Përkujtohet në durrës 70 vjetori i rezistencës antifashiste

Qytetarët e Durrësit përkujtuan sot 7 prillin e vitit 1939, ditën që shënoi nisjen e rezistencës antifashiste të popullit shqiptar. Banorë të qytetit bregdetar, përfaqësues të pushtetit vendor, drejtues të organizatave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve, si dhe partive politike, u mblodhën pranë Torrës Mesjetare, ku 70 vjet më parë, një grup ushtarakësh dhe banorësh të qytetit, pritën pushtuesit me armë në dorë kundër zbarkimit të ushtrisë fashiste italiane. Në ceremoni ishin zëvëndësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe kryetar i PLL, Ekrem Spahia, prefekti i qarkut, Klodian Pajuni, kryetari i këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha, përfaqësuesi i familjes mbretërore, Leka i Dytë, etj.
Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako në fjalën e tij, përkujtoi me respekt dëshmorët e 7 prillit 1939, duke e konsideruar aktin e tyre dhe të gjithë të rënëve për lirinë e atdheut, edhe si kontribut për ngjarjen e madhe që i bashkon shqiptarët në këto ditë, anëtarësimi në NATO. "Durrësi u bë më 7 prill 1939, qyteti i parë i rezistencës kundër rrezikut nazifashist, që kërcënonte të gjithë Europën", tha Dako. Kurora dhe buqeta me lule u vendosën pranë monumentit të Mujo Ulqinakut, kapterit të ushtrisë Shqiptare, që më 7 prill, 1939 dha jetën për lirinë e atdheut, bashkë me bashkëlulfttarët dhe dëshmorë të tjerë, Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Isak Metaliaj, Ismail Reçi, Hysen Koç, Ramazan Velia dhe Ibrahim Osmani.
...