E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Hoxha”, katër dëshmitarë të tjerë në seancën e sotme

Katër persona të tjerë kanë dëshmuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro -maqedonasit Remzi Hoxha,  në vitin 1995 në Tiranë. Para Gjykatës ka dëshmuar Bazri Hyka,  sekretar i përgjithshëm i një sindikate në Kosovë dhe një  i njohur i Remzi Hoxhës. Ai tregoi për një takim që,  kishte patur në Prishtinë në 1997 me  Avdyl Loshajn,  i cili pretendohet se së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin janë rrëmbyer nga strukturat e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) sot Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH).Sipas deshmitarit ai kishte mësuar  nga Loshaj për keqtrajtimin e  Remzi Hoxhës  në një godinë të SHIK-ut në Vajin të Lezhës.  Më pas ka dëshmuar Astrit Llanaj, ish- kryetari i Partisë Soicialiste të Sarandës, i cili foli për një tjetër episod, këtë herë për një takim që kishte patur  me Ziso Kristopullin, kur ai,  kishte dalë nga  izolimi nga baza e SHIK-t në Vajin të Lezhës. Dëshmitari pohoi se kishte parë shenja dhune në trupin e  Ziso Kristopullit. 

Më tej procesi vijoi  me  dy dëshmi të tjera nga  ish- punonjës të SHIK-ut, konretisht  Petraq Xhorxhi dhe Anesti Selimi, të cilët folën rreth largimit  nga ish- dega e SHIK në Tiranë të Avdyl Loshaj, i cili ishte hedhur nga kati i dytë i godinës së saj.  Megjithatë, dëshmitarët nuk dhanë shumë detaje për këtë episod pasi sic theksuan,  nuk ishin dëshmitarë okularë.  Këto deshmi pasojnë ato të bëra seancat e meparëshme nga persona të tjerë, ndër të cilët edhe ish punonjës të strukturave të rendit të asaj kohe.  

Të pandehur në këtë proces janë  katër ish-punonjës të SHIK-ut,  konkretisht Arben Sefgjini,  Ilir Kumbaro,  Budjon Meçe dhe Avni Koldashi. Mbi ta,  rëndon akuza për rrëmbimin dhe  zhdukjen e Remzi Hoxhës,  afro 14 vjet më parë në Tiranë. Gjithashtu të pandehurit akuzohen edhe për rrëmbimin e  shtetasve Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›