Banka Botërore jep 5 milion dollarë shtesë për projektin e shërbimeve sociale në vend

Ministri i Financave Ridvan Bode si dhe përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah nënshkruan sot marrëveshjen e kredisë për huanë shtesë të Projektit të Shpërndarjes së Shërbimeve Sociale prej 5 milionë dollarësh. Në bazë të marrëveshjes, ky financim synon rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të sistemit të pensioneve në Shqipëri, përmes përmirësimit të administratës së këtij sistemi, forcimit të kapaciteteve institucionale për zhvillimin e politikave të pensioneve. Ministri i Financave Ridvan Bode vlerësoi në fjalën e tij Bankën Botërore, për asistencën që i ka ofruar sektorit të shërbimeve sociale në Shqipëri dhe në mënyrë të vecantë Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe për modernizimin e administratës së sistemit të pensioneve. Sipas Nuamah, "aktivitetet që do të mbulojë ky financim, do të mbështesin reformën administrative të sistemit të pensioneve, ngritjen e Arkivës qendrore të kontriubuesve dhe përfituesve, krijimin e kapaciteteve për politikat e zhvillimit të pensioneve si dhe edukimin publik mbi sistemin e pensioneve."
Projekti nisi zbatimin në janar të vitit 2002 dhe si objekt ka përmirësimin e standardeve të jetesës së të varfërve dhe grupeve vulnerabël të popullsisë në Shqipëri, përmes rritjes së aksesit të tyre në shërbimet efektive të përkujdesit social. Po kështu projekti konsiston edhe në ndihmën për qeverinë në zhvillimin e politikave efektive të përkujdesit social dhe zhvillimin e kapaciteteve të veta për shpërndarjen dhe monitorimin e këtyre shërbimeve, si dhe përmirësimit të eficiencës dhe efektivitetit të sistemit të pensioneve.
Kredia fillestare ka mbështetur deri më sot shërbime në 43 qendra ditore të përkujdesjes sociale, duke ofruar shërbime dhe politika të standardeve të reja për më shumë se 25.000 përfitues nga grupet më të varfra të popullsisë. Gjithashtu është mbështetur përmirësimi i shërbimeve në 13 qendra rezidenciale të përkujdesjes sociale. Po kështu, kredia ka ndihmuar në krijimin e një kuadri ligjor dhe strategjik në fushën e përkujdesjes sociale, si dhe ka forcuar kapacitetet në nivelet e pushtetit qendror dhe atij lokal. Kredia shtesë për realizimin e këtij projekti u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 17 mars 2009. Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Deri më sot Banka Botërore ka kontribuar rreth 1.4 milardë dollarë për 68 projekte zhvillimore.
...