E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë të gjata në sportelet e pasaportave biometrike

Kukës
 
 

 
Në zyrën e aplikimit punon vetëm një punonjës, i cili e ka të pamundur të përballojë fluksin e lartë të kërkesave, që është shtuar edhe nga ardhja e emigrantëve   
 
 
Flutura TOTA
KUKëS - Banorët e zonave të thella të Kukësit, si dhe emigrantët e ardhur nga vende të ndryshme detyrohen të presin me ditë të tëra për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja apo pasaportat biometrike. Sipas tyre, pranë zyrës së aplikimit punon vetëm një punonjës, i cili nuk mundet të përballojë fluksin e madh të aplikimeve në këto ditë të para të këtij viti. Ata i bëjnë thirrje qeverisë për ndërhyrje të menjëhershme.
Prej ditësh, qindra banorë të komunave të Kukësit, të cilat nuk kanë zyra aplikimi për mjetet e reja të identitetit, si dhe emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme detyrohen të presin me ditë të tëra për t’u pajisur me pasaportën apo kartën e re të identitetit. Kjo situatë ka vijuar të theksohet sidomos gjatë ditëve të fundit, ku fluksi i aplikimeve është rritur ndjeshëm. Pranë zyrës së aplikimit në qytetin e Kukësit punon vetëm një punonjës, i cili siç duket, nuk mund të përballojë i vetëm gjithë këtë fluks. Një banor i komunës Zapod tregon se deri më sot ka ardhur në Kukës 7 ditë rresht dhe se akoma nuk ka mundur të aplikojë për kartën e identitetit, pa të cilën nuk mund të marrë as pensionin. “Ka shtatë ditë rresht që vij këtu në qytet për të aplikuar për kartë, por nuk kam mundur që ta kryej këtë proces. Vij këtu nga Zapodi dhe gjej radhë shumë të madhe. Pres dhe kur takova një herë këtë punonjësin, më tha se ka shumë radhë dhe se unë duhet të pres. Po ç’të presim, duhet të shtohen punonjësit këtu, se me një të vetëm nuk arrihet gjë. Unë akoma s’kam marrë as pensionin, pasi nuk kam pasaportë, dhe pa këtë të renë nuk marr dot as lekët e mia”. Një tjetër banor nga komuna Shishtavec thotë se ka ardhur tri ditë rresht në Kukës, por nuk ka aplikuar për pasaportë ende. Veç pritjes, atyre u shtohen edhe shpenzimet e qëndrimit në qytet. “Për të ardhur deri këtu shpenzoj të paktën 8 mijë lekë çdo ditë. Kam tri ditë që endem bashkë me gruan dhe gjithçka na ka shkuar dëm. Ose të na i japin ato të flamosura karta, ose të na thonë ikni, se s’i bëjmë dot. Të paktën të mos na gënjejnë e sorollatin kot”, vijon më pas ai. Ndërsa një banor i komunës Malzi thotë se një punonjës i vetëm nuk mund të bëjë asgjë. Madje, ai i bën apel qeverisë shqiptare që të ndërhyjë, pasi një situatë e tillë mund të irritojë këdo. “I bëj thirrje qeverisë që të ndërhyjë, se kjo kompania më duket se vetëm sa tallet me ne. Ne duam kartat dhe ata na thonë se duhet të presim. Madje ka raste kur nuk na përgjigjen fare dhe ne presim e presim e asgjë nuk zgjidhim”. Ndryshe nga banorët e zonave të Kukësit, të cilët kanë mundësi të presin, emigrantët thonë se koha nuk pret. “Jam këtu në Kukës bashkë me gruan dhe vajzën time dhe kam një javë që vij çdo ditë për të aplikuar, por nuk arrij dot. Ne qëndrojmë në Itali dhe nëse vonohemi edhe tri ditë, na humbet puna dhe nuk kemi se ku të punojmë pastaj. Unë nuk e di sesi qeveria lejon një nivel kaq të dobët shërbimi, kur qytetarët paguajnë për të. Habitem! Por, nga ana tjetër, do i bëja apel qeverisë që të ndërhynte, pasi kështu nuk shkohet drejt Europës. Ne jemi emigrantë dhe s’mund të presim me ditë të tëra. Gruaja ime qëndron bashkë me vajzën e vogël në radhë gjithë ditën dhe kthehemi tek të afërmit tanë pa aplikuar. Kësaj i thonë neglizhencë dhe mospërfillje për qytetarët e tu”, thotë kështu një emigrant.
 
 
 
Vështirësia
 
Katër zyra
në të gjithë
qarkun
 
Në të gjithë Qarkun e Kukësit janë eficiente katër zyra aplikimi, ku shtetasit mund të pajisen me karta apo pasaporta biometrike. Këto zyra ofrojnë shërbim në Bashkinë e Kukësit, Krumës, Bajram Currit, si dhe të komunës Bicaj të Rrethit të Kukësit. Kompania “Sagem” pati hapur në fillim të procesit zyra nëpër të gjitha njësitë vendore, ndërsa tani ato janë mbyllur. Ndërsa sa i takon numrit të aplikimeve apo kësaj situate, ku shtetasit detyrohen të presin me ditë të tëra për të aplikuar apo pajisur me mjet të ri identiteti, ajo nuk jep asnjë lloj informacioni.
 
 
 
Durrës
 
Merr peng 19-vjeçaren,
arrestohet nga policia
 
DURRëS - Një-32 vjeçar, banor i qytetit të Durrësit, është arrestuar paraditen e djeshme, pasi ka marrë peng dhe ka dhunuar një vajzë të moshës 19 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së dielës rreth orës 14:00 në lagjen nr. 8 të qytetit bregdetar. Burime të policisë kanë bërë të ditur se Leonard Kërtushaj, 32 vjeç, banor i lagjes 8, ka marrë me forcë një vajzë nga ky qytet dhe pasi e ka futur në një autoveturë, e ka çuar në një zonë të braktisur në fshatin Arapaj të komunës Rrashbull.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se 32-vjeçari ka përdorur autoveturën e tij me targa DR 9935 B ,e markës “Mercedes Benz”. Pasi e ka dërguar vajzën në fshatin që gjendet në unazën e Plepave, 32-vjeçari e ka rrahur 19-vjeçaren me shkop, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit. 19-vjeçarja ka marrë plagë në trup, por fill pasi është lënë e lirë nga pengmarrësi, ka bërë denoncim në polici. Efektivat policore kanë nisur kërkimet për autorin dhe arrestimi i tij është bërë pas një dite, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Ngjarja në fjalë mësohet se ka ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që në njoftimin e policisë nuk thuhet nëse 19-vjeçarja është dhunuar seksualisht. Leopard Kërtushaj është vënë në pranga rreth orës 10:00 të ditës së djeshme dhe akuzohet për heqjen e paligjshme të lirisë, shoqëruar me dhunë fizike.
A. Kalemasi
 
 
 
Kukës
 
Rinisin kërkimet në lumë
për adoleshenten e humbur
 
KUKëS - Rinisin kërkimet për gjetjen e trupit të 17-vjeçares me iniciale R. T., e cila tri javë më parë u zhduk nga shtëpia pas një zënke me nënën e saj dhe që sipas disa bashkëfshatarëve, është parë tek ura e fshatit, ku dhe dyshohet të jetë vetëmbytur. Kërkimet ishin ndërprerë, pasi prurjet në lumin e fshatit nuk lejonin kërkimin e mëtejshëm në thellësi të ujërave apo në breg të tyre. Sipas policisë së Kukësit, kërkimet kanë rinisur sërish, me qëllim që trupi të gjendet dhe për këtë po punohet nëpër të gjithë rrjedhën e lumit, si dhe bregun e tij. Ali Elezi, drejtor i Policisë së Kukësit, thotë për “Korrierin”, se po bashkëpunohet edhe me familjarët e vajzës, të cilët asistojnë në çdo moment gjatë kërkimeve, që specialistët e caktuar për këtë qëllim bëjnë gjatë gjithë kohës. “Gjatë ditës së sotme kemi rinisur kërkimet për trupin e vajzës, e cila dyshohet të jetë vetëmbytur në përroin e fshatit. Për të qenë sa më transparentë dhe për të hequr çdo merak të familjarëve, i kemi marrë me vete ata për të kërkuar nëpër të gjithë rrjedhën e lumit, si dhe bregun e tij. Kërkimet i kemi intensifikuar, duke shtuar edhe forcat e kërkim-shpëtimit, por më duhet të theksoj se ka raste kur ato i ndërpresim, pasi kur hasim në inerte edhe mjetet lundruese nuk mund të përparojnë. Kemi kërkuar edhe nëpërmjet notarëve, por ata na kanë thënë se nuk shohin gjë, pasi uji është shumë i turbullt dhe se inertet e sjella nga prurjet kanë vështirësuar gjithçka”, vijon më tej Elezi. Po sipas policisë, deri tani ende nuk është gjetur asnjë shenjë e trupit të vajzës, çka ka bërë që edhe familjarët të humbin shpresat se trupi i vajzës mund të gjendet. Babai i 17-vjeçares mësohet të ketë thënë se “shpresat çdo ditë që vjen i humbasim, pasi nuk po mundemi të kemi asnjë lajm nëse trupi është parë në ndonjë vend. Sidomos pas gjithë asaj prurjeje që solli Drini në këto ditë, ku reshjet kanë qenë të shumta”. Në procesin e kërkimit janë përfshirë edhe bashkëfshatarët, por edhe ata deri tani kanë dështuar.
Vajza me iniciale R. T. është zhdukur nga fshati i saj Malqene i komunës Ujmisht rreth 15 kilometra larg Kukësit që në fundin e muajit dhjetor dhe deri tani askush nuk ka marrë vesh se çfarë është bërë me të. Policia si pistë kryesore ka pasur vetëmbytjen, pasi disa bashkëfshatarë e kanë parë vajzën teksa po qëndronte pranë urës së fshatit, aty ku u gjetën atletet, si dhe xhupi i saj. Për një periudhë më shumë se njëjavore policia i ndërpreu kërkimet, pasi prurjet në lum ishin të jashtëzakonshme dhe e pengonin procesin e kërkimit. Ato kanë rinisur tashmë, edhe pse nuk dihet nëse do të jenë të suksesshme apo jo.
F. Tota
 
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›