E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia, 2 shqiptarë në stafin e ri maqedonas

Gjatë kësaj jave do të bëhet zgjedhja e redaksisë së re për hartimin e "Enciklopedisë" së re nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase. Lajmi është bërë i ditur për agjencinë e lajmeve INA nga anëtari i ASHAM, Alajdin Abazi. Sipas tij në emërimin e ri të redaksisë është planifikuar një përfaqësim dinjitoz i shkencëtarëve shqiptarë. "Deri tani jemi vonuar për shkak se kemi ndryshuar rregulloren, e cila mundëson që në kuadër të redaksisë të emërohen edhe anëtarë të jashtëm, apo profesorë universitarë", ka theksuar Abazi, rektori universitar në Tetovë, i cili është anëtar i rregullt dhe i brendshëm i ASHAM. Këshilli i ri redaktues do të përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve dy do të jenë shkencëtarë shqiptarë, ku nuk e përjashton veten edhe rektori Abazi, si anëtarë i brendshëm i Akademisë. Ndërsa si anëtarë tjetër i redaksisë pritet të zgjidhet akademiku Ali Aliu, i cili është anëtarë i jashtëm, por me ndryshimin e rregullores ai mund të zgjidhet si anëtar i redaksisë së re. Në redaksinë e re janë parashikuar që të zgjidhen pesë anëtarë të brendshëm dhe katër anëtarë të jashtëm. Pavarësisht nga kjo, ndër propozimet e fundit të këshillit të ASHAM është kërkuar edhe formimi i qendrës albanologjike për kultivimin e vlerave dhe aspekteve shkencore gjuhësore, kulturore dhe sferave të tjera të shqiptarëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›