E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Piktura e Osekut hapesire e pafundme e lirise

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha ishin të pranishëm në çeljen e ekspozitës së piktorit Ali Oseku, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Në këtë ekspozitë, të parën vetjake në Tiranë, piktori Oseku sjell një numër punimesh në vaj.

Pas një fjale përshëndetëse në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha vizitoi ekspozitën të cilën e vlerësoi si jashtëzakonisht mbresëlënëse. Duke e cilësuar këtë artist si një nga kolosët e pikturës shqiptare, Kryeministri tha gjuha e Ali Osekut në pikturë është realisht një nga më të bukurat dhe se kjo ekspozitë ishte në thelb një inkursion i piktorit në pafundësi.

Kryeministri Berisha vlerësoi, gjithashtu, se piktori Oseku nuk ka dashur të pranojë mure, tunele, galeri, por ka preferuar të ndjehet i lirë për të cilën dhe ka paguar një çmim të madh: 12 vite apo më shumë burg, si dhe sakrifica e privime të tjera të mëdha.

Ndërsa e përgëzoi shumë përzemërsisht piktorin Ali Oseku për këtë sukses të madh, Kryeministri Berisha theksoi se “e tërë piktura e Ali Osekut është tani, në një farë aspekti, hapësirë e pafundme e lirisë dhe krijimet e një krijuesi ndër më të fuqishmit, ndër më të talentuarit në galerinë e krijuesve shqiptarë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›