Realiteti përmes këngës
Tri vjet punë iu deshën grupit Jericho për realizimin e këngës “Kanga Jonë”. Me tekstin e shkruar nga Petrit Çarkaxhiu, në të kujtohet e kaluara e shqiptarëve, derisa paralelisht bëhet thirrje për një të ardhme ku ata do të ishin të bashkuar.
Petrit Çarkaxhiu tregon se kënga, në fakt, ndahet në dy pjesë.
“Pjesa e parë e këngës flet kryesisht për atë se si jemi ne sot, si shoqëri. Ndërsa, pjesa e dytë është njëlloj përkujtimi i asaj nëpër çka kemi kaluar”, sqaron Çarkaxhiu për gazetën.
“Kanga Jonë” është e pesta në mesin e këngëve që do të përthekohen në kuadër të projektit, gjegjësisht kompilacionit “Gegë Rock”, të cilin grupi synon ta përfundojë brenda vitit.
“Kur do të Pushojë Kjo Kangë”, “Zgjohu”, “Tomlin e Nonës”, dhe “Shkaba” - e cila nuk është pjesë e asnjë albumi, janë edhe katër këngët tjera që do të jenë pjesë e këtij projekti.
“Nona po vet: Ku i kom djemt o ku m’kanë mbet. Në pragun e shpisë, marre e madhe na ka prekë. Gurë o për gurë, kullën tonë jonë tu e rrnue. Kthemuni djem, nonën qysh bon me harrue”, është vetëm një prej vargjeve të kësaj kënge.
“Deri në fund të vitit do të prodhohen edhe dy ose tri këngë të tjera. Projekti do të përfshijë këngë që janë përafërsisht të stilit të njëjtë, që kanë elemente folklorike, dhe që kryesisht janë të kënduara në dialektin gegë”, shprehet Çarkaxhiu.
Është me rëndësi të përmendet se të gjitha këngët përmbajnë elemente folklorike të Kosovës, Shqipërisë së Veriut dhe Maqedonisë. Për Çarkaxhiun nuk do të kishte asnjë kuptim nëse ato s’do të këndoheshin në gegnisht.
“Por, e gjithë kjo nuk do të thotë se ne do të vazhdojmë gjithmonë me këtë lloj muzike, megjithëse ky është një projekt që duam ta finalizojmë fillimisht”, tregon ai.
Ndryshe, Çarkaxhiu tregon se ka 4-5 ditë që kënga është lansuar në internet, në rrjetin social Facebook dhe në Youtube. Aty përfshihet edhe arkivi i xhirimeve të asaj që ka ndodhur gjatë historisë së re të Kosovës. Sipas tij, në bazë të klikimeve që i janë bërë këngës në internet, duket se ajo do të dalë e suksesshme.
“Përndryshe, ’Kanga Jonë’ është bërë në bashkëpunim edhe me korin e NewBorn’it”, pohon Çarkaxhiu, derisa paralajmëron se pak para verës, mbase diku më 3 ose 4 qershor, grupi do të mbajë koncert të madh, edhe pse datat mund të lëvizin nëse shfaqen probleme me sponsorë.
Bashkë me “Kanga Jonë” Jericho ka lansuar edhe logon me të cilën do të identifikohet grupi.
Disenjatorët Faton Mikullovci, Shkumbin Brestovci dhe Edi Agagjyshi e kanë krijuar atë bashkërisht. Skeleti në të zezë i shqiponjës, me koka të kthyera nga njëra-tjetra dhe të vendosura mbi një sfond të kuq, është përmbajtja e logos. Ajo ashiqare tregon idealin e grupit, e skeleti tregon frymën e rokut...
Jericho njihet për frymën ndryshe të rokut që e kultivon. Grupi, në një formë apo tjetër, ekziston që nga viti 1994. Emrin Jericho Walls e mori në vitin 1996, për t’u shkurtuar ndërkohë, në vitin 2001, në Jericho. Prezantimi i parë publik i grupit u bë në vitin 1997, kur edhe u incizua kënga dhe u filmua video-spoti i këngës së parë “This is My Home” (Kjo Është Shtëpia ime). Stili i Jericho’s, që është goxha i përafërt me atë të grupit amerikan Rage Against the Machine, njihet si rap-chore.
Jericho mund të jetë grupi i vetëm shqiptar që krijon në këtë rrymë muzikore. Këngët e grupit karakterizohen me tekste përplot zemërim rebelues. Shumica e këngëve këndohen në dialektin gegë.