E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pinjollët e Byrosë Politike, fushatë shpifjesh kundër interesave të shqiptarëve

Nga qyteti i Korçës, Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar antikulturën e Bllokut komunist, e cila ditë e natë po dëmton interesat e shqiptarëve, me një fushatë të paprecedentë shpifjesh e mashtrimesh

Kryeministri Sali Berisha është shprehur përsëri dje, këtë radhë nga qyteti i Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e plotë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli”, me vlerë 29 milionë lekë të reja, se kultura e bllokut e ardhur në krye të PS-së përmes byrosë politike të bllokut të vjetër, është kthyer në një makth për vendin dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë. Kryeministri tha se nga mëngjesi deri në darkë ata shpifin dhe mashtrojnë, për të errësuar rrugën evropiane të Shqipërisë.
“Sot në Shqipëri po përhapet si një makth antikultura e bllokut, me ardhjen në krye të PS të pinjollëve të Byrosë politike dhe të bllokut të vjetër. Në Shqipëri nga mëngjesi deri në darkë bëhet çdo gjë që të shkelmohet nga këta shokë apo zotërinj mbi interesat tuaja jetike. çdo minutë, çdo orë, çdo ditë shpifin dhe mashtrojnë vetëm e vetëm që të errësojnë rrugën tonë evropiane”, u shpreh kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst, kreu i qeverisë vuri në dukje se “në momentin më kulmor kur do të vendosej për të hapur negociatat për statusin e kandidatit qëndruan jashtë parlamentit vetëm e vetëm që vendimi të mos merrej. Këta shokë apo zotërinj, në momentin më kyç, kur do të vendosej për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët ngritën çadrat në Bulevardin kryesor të kombit dhe organizuan të ashtuquajturën grevë urie, vetëm e vetëm që Evropa të mos Evropa të mos vendoste për heqjen e vizave për ju dhe fëmijët tuaj. Ata bëjnë çdo përpjekje dhe lëshojnë çdo thirrje që të bllokojnë këtë proces. Por unë jam sot këtu për tu zotuar para jush se asgjë rrugën tonë drejt Evropës nuk do mund ta ndale. Edi Rama le të kalojë nga kutia në bunker dhe nga bunkeri në kuti, sa herë të dojë. Shqipëria është vend ilirë. Le ti ngrehin e ti shkrehin çadrat sa herë të duan. Asgjë nuk do të na pengojë ne në rrugën tonë drejt Evropës. Kjo është një rrugë e mundimshme, është një rrugë dinjiteti. Kjo është një rrugë me djersë, një rrugë e sigurt drejt suksesit”, deklaroi shefi i ekzekutivit, Sali Berisha.
Duke u ndalur te zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, kryeministri vlerësoi se më 28 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të bukura, më të ndershme, më të qytetëruara në histori, zgjedhje të cilat bënë të mundur që 27 ministrat e qeverive të vendeve anëtare të BE të votojnë për Shqipërinë, për të hapur negociatat për statusin e kandidatit.
“Këto zgjedhje bënë të mundur dorëzimin e pyetësorit për statusin e kandidatit. Këto zgjedhje bënë të mundur që KE të propozojë heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pra siç e shihni këto 5 vite ne kemi ndërtuar më shumë se në tërë jetën tonë idealet tona evropiane, idealet tona euroatlantike”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›