E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, arritje mbresëlënëse vitet e fundit, anëtare e denjë e NATO-s

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, takon në SHBA senatorët Lugar dhe Liberman

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë qëndrimit të tij në SHBA ka patur takime të veçanta me senatorin Lugar dhe senatorin Liberman.
Gjatë takimit që pati me senatorin Lugar, ministri i Mbrojtjes Imami vlerësoi mbështetjen e veçantë që senatori Lugar i ka dhënë veçanërisht procesit të shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, duke bërë që Shqipëria të jetë i pari vend në botë pa armë kimike. Duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Imami theksoi se këtë anëtarësim e shikojmë si fillimin e detyrimeve më të mëdha për të përmbushur.
Dy mbeten drejtimet kryesore të punës në FA Shqiptare. Së pari, zhvillimi i mëtejshëm i aftësive operacionale dhe së dyti, asgjësimi i municioneve të tepërta. Lidhur me asgjësimin e municioneve, ministri Imami theksoi se ai mbetet prioritet i punës sonë dhe mbi bazën e një Plani Veprimi të detajuar ky proces po vazhdon me ritme më të larta në uzinat ushtarake në Mjekës dhe në Poliçan. Për të vënë procesin e demontimit të municioneve në kushte teknike sa më moderne dhe të sigurta kemi kërkuar ndihmën edhe të NAMSA-s dhe të NATO-s.
Ministri Imami falënderoi SHBA, të cilat janë bërë nismëtare për një projekt të ri të NATO-s për demontimin e municioneve të tepërta në Shqipëri dhe krijimin e Trust Fund për këtë çështje. Me këtë rast ai kërkoi nga senatori Lugar mbështetjen e tij për më shumë ndihmë teknike e financiare nga SHBA për përshpejtimin dhe përfundimin e procesit të demontimit në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu një sukses të ri, si vendi i rajonit që do të eleminojë plotësisht municionet e tepërta.
Nga ana e tij, senatori Lugar vlerësoi arritjet në Shqipëri dhe në FA Shqiptare, sidomos tashmë pas anëtarësimit në NATO. Ai dha mbështetjen e tij për vazhdimin e procesit të reformave dhe rritjen e kapaciteteve në FA Shqiptare.
Me theks të veçantë senatori Lugar foli për procesin e demontimit të municioneve të tepërta, vlerësoi punën e bërë dhe rezultatet pozitive të arritura deri më tani në këtë proces, si dhe stabilitetin ekonomik dhe politik në vendin tonë.
Në takimin që pati me senatorin Liberman ministri Imami, pasi falënderoi për mbështetjen e gjithanshme që SHBA i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, theksoi se ky vit është shumë i rëndësishëm për ecurinë e reformave në FA Shqiptare, struktura e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm e sapo miratuar tashmë është në fazën implementimit të saj. FA Shqiptare kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të ndjeshëm në operacionet e paqes, ka theksuar z. Imami, dhe aktualisht kemi vendosur për rritjen e numrit të trupave në Afganistan me një kompani prej 44 trupash.
Senatori Liberman, i impresionuar për arritjet e Shqipërisë, vlerësoi dhe shprehu falënderime për angazhimin e trupave ushtarake të Shqipërisë me mision në Afganistan. Ai u shpreh se njeh vlerat e lidershipit shqiptar, sepse pa lidership s’ka përparim.
Në këtë takim u fol edhe për situatën në rajonin e Ballkanit ku ministri Imami shprehu mbështetjen për anëtarësimin në NATO edhe të vendeve të tjera të rajonit tonë.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe për Kosovën, sidomos për situatën në Mitrovicë, se si do të menaxhohet vakuumi i sigurisë atje.
Senatori Liberman u shpreh se duhet një bashkëpunim me Serbinë për mosfinancimin e strukturave paralele në atë zonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›