E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vizat po hiqen, se luftuam korrupsionin dhe ndëshkuam krimin e organizuar”

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka deklaruar dje se beteja në luftën kundër korrupsionit, metodat më efektive në goditjen e krimit si dhe menaxhimi i integruar i kufijve kanë kontribuar ndjeshëm në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Ministri i Brendshëm i bëri këto deklarata gjatë ceremonisë së dhurimit të disa pajisjeve nga qeveria amerikane në shërbim të luftës kundër korrupsionit si dhe menaxhimit të kufijve. Basha vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit në përmbushje të detyrave për liberalizimin e vizave me BE si dhe shprehu bindjen për realizimin prej saj edhe të detyrave shtesë të paraqitura nga Komisioni Europian.
“Në procesin jetik dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë të heqjes së vizave, Policia e Shtetit ka kryer me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë detyrat e saj. Misionet e verifikimit do të jenë në gjendje që së afërmi të prekin realizimin me sukses edhe të kritereve shtesë të paraqitura nga Komisioni Europian. Kapacitetet e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin korrupsionin, për të siguruar rendin dhe sigurinë nuk kanë qenë kurrë më të larta. Rezultatet janë premtuese, por sfidat e tejkaluara janë dhe mbeten shtytje për të vazhduar me guxim rrugën e përmbushjes së detyrave dhe sfidave të reja”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Ministri Basha e shprehu këtë vlerësim gjatë fjalës që mbajti në ceremoninë e dhurimit për Policinë e Shtetit nga programi i asistencës policore të qeverisë së SHBA, ICITAP, të pajisjeve të infrastrukturës operacionale dhe pajisjeve kompjuterike të instaluara në terren të sistemit TIMS.
Basha u shpreh gjatë fjalës së tij se falë sistemit TIMS, për qytetarët shqiptarë dhe të huaj përdorues të kufirit, kufiri është bërë shumë më efikas, më i shpejtë dhe më miqësor në ofrimin e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë është bërë më i padepërtueshëm, më armiqësor dhe më i pakalueshëm për krimin ordiner, të organizuar, transkufitar, trans rajonal.
“Ky sistem ka kontribuuar në vlerësimin pa ekuivoke të sigurisë së kufijve të Republikës së Shqipërisë si në përputhje me normat dhe standardet më të larta të BE, duke kontribuuar kështu në propozimin historik të Komisionit Europian për heqjen e vizave në fund të muajit që shkoi”, tha ministri i Brendshëm.
Basha theksoi ndërkohë se instalimi dhe funksionimi i sistemit TIMS është vetëm një pjesë e përpjekjes së gjithanshme dhe të vazhdueshme të Policisë së Shtetit në luftë kundër krimit për të siguruar rendin dhe sigurinë publike duke garantuar se Shqipëria është dhe do të jetë burim sigurie dhe eksportues sigurie në rajon dhe më gjerë.
Duke nënvizuar bindjen dhe besimin se sukseset e arritura duke përfshirë edhe propozimin historik për heqjen e vizave janë suksese të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, ministri Basha falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për qeverinë e SHBA për ndihmën e dhënë ndaj Policisë së Shtetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›