S’ka asnjë reagim zyrtar të Bashkimit Evropian, çdokush ka të drejtë të flasë individualisht

Reagon Partia Demokratike
“Nuk ka asnjë draft dhe asnjë ultimatum nga dy grupet kryesore të Parlamentit Europian, për të zgjidhur krizën brenda një jave”. Kështu u shpreh dje deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, duke theksuar se deklaratat e fundit të Zëvendëskryetarit të delegacionit për Ballkanin në PE, Victor Boshtinaru, kanë qenë individuale dhe për këtë arsye nuk është asgjë zyrtare. “Në dijeninë time nuk ka ndonjë draft, duhet të mësohemi që informacionet në lidhje me organet zyrtare, siç është Parlamenti Europian, duhet të na vijnë në mënyrë zyrtare dhe për këtë duhet të flasin autoritetet zyrtare në lidhje me çështjen. Sepse ka ndodhur dhe herë të tjera që për këtë çështje kanë folur persona të caktuar të cilët nuk kanë pasur autoritetin për të folur në emër të Parlamentit Europian dhe janë detyruar që më pas të tërheqin deklaratat. Për aq kohë sa nuk kemi një qëndrim zyrtar nga Fule, apo nga departamente të tjera të Parlamentit Evropian, sigurisht që ne nuk mund të bëjmë komente”, u shpreh Eduard Halimi.
Përsa i përket zhvillimeve të brendshme në parlamentin shqiptar ku vota e opozitës për një sërë ligjesh të rëndësishme është e kushtëzuar nga zgjidhja e ngërçit, deputeti i PD-së, Halimi tha se opozita po demonstron qëndrime tendencioze me qëllim ndryshimin e Kushtetutës sipas dëshirës së tyre.
“Oferta e tyre është një ofertë bllokuese, ofertë për të zgjedhur anëtarët e gjykatës së lartë apo Kushtetuese me 84 vota, pra një shumicë të cilësuar, e cila domosdoshmërisht do të kërkojë ndryshim të Kushtetues. Oferta është që të krijojmë ne tani një krizë të re duke ndryshuar Kushtetutën në mënyrë që të krijojmë një ngërç, ndryshe nga ajo që u bë para dy vjetësh”, tha Halimi.
Dy ditë më parë, gjatë punimeve të seancës plenare, kryetari i grupit të PS-së Ruçi tha se vota e socialistëve do të ishte e kushtëzuar nga zgjidhja e krizës duke i dhënë një rëndësi të veçantë dhe 3 dekreteve të presidentit për Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër, shumica parlamentare konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin e opozitës në Kuvend, për të shmangur ndikimin e ngërçit politik kundrejt punës dhe reformave që duhet të miratojë parlamenti.