Meta-Kushner konfirmojnë stadin shumë të mirë të marrëdhënieve franko-shqiptare

Ministri i Jashtëm francez, Bernar Kushner i ka deklaruar dje homologut të tij Ilir Meta, se Franca konfirmon mbështetje të plotë për lëvizjen e lirë të shqiptarëve, si dhe inkurajon anëtarësimin e saj sa më të shpejtë në BE
Franca tregohet e gatshme të mbështesë propozimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe gjithashtu edhe procesin e integrimit europian të vendit tonë dhe të të gjithë rajonit. Kjo u konfirmua gjatë takimit që Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta zhvilloi dje me homologun e tij francez, Bernard Kushner, në Paris. “Pozicioni i Francës është shumë i thjeshtë, tepër i qartë: ne dëshirojmë që i gjithë Ballkani Perëndimor, dhe Shqipëria në veçanti, të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Patjetër që do duhet pak kohë, do jetë proces i ndryshëm në varësi të vendeve, ne do bëjmë përshtatjet e duhura, dhe Franca e mbështet këtë në mënyrë konkrete dhe konstante”, tha kryediplomati francez.
Ai vlerësoi se mes Shqipërisë dhe Francës ka një bashkëpunim shumë të mirë si në stadin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Nga ana e tij, ministri Meta e njohu homologun e tij francez Kushner me përpjekjet e Qeverisë për të përmbyllur së shpejti tre çështjet në ndjekje, nga udhërrëfyesi i vizave.
Sa i takon situatës politike, dy ministrat theksuan se çdo problem duhet zgjidhur përmes dialogut konstruktiv, rrugës institucionale, në respekt të plotë të Kushtetutës dhe institucioneve të pavarura të vendit.
Në kuadër të nxitjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, së shpejti do të organizohet një forum i përbashkët ekonomik. Gjatë takimit, dy ministrat folën dhe për situatën në rajon, në vijim të takimit të Nivelit të Lartë të Sarajevës, ku u theksua roli konstruktiv i Shqipërisë në shërbim të stabilitetit dhe prosperitetit.