E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Po verifikojmë dëmet nga përmbytjet

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, ka bërë të ditur vendimin për nisjen e punës nga ana e autoriteteve për të përcaktuar dëmet e shkaktuara në zonat e përmbytura në veriperëndim të vendit. Kreu i qeverisë tha se janë ngritur grupe pune për të verifikuar dëmet, të cilat do të ndahen në disa kategori. Sipas Berishës, dëmet do të vlerësohen në objekte sociale dhe objekte banimi, dëmet në orendi shtëpiake si dhe dëmet në tokat e mbjella dhe në gjënë e gjallë. “Mendoj se ky vendim, hap dritën jeshile për një proces shumë të rëndësishëm, i cili do të bazohet në dokumentacionin real, ku me pamje satelitore do të vëzhgohen tokat e përmbytura, banesat, habarët e mbjellë”, u shpreh Berisha para pak momentesh, duke premtuar se vlerësimi i dëmeve do të jetë real dhe i ndershëm. Kryeministri u shpreh se ministritë do të ndryshojnë fondet, për të shkuar tek zonat e përmbytura. Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu edhe një herë mirënjohen për të gjithë ata që morën pjesë në evakuimin dhe përballimin e situatës së emergjencës. “U jam mirënjohës të gjithë atyre që kontribuan që kjo katastrofë natyrore të mos ishte një katastrofë njerëzore, çka përbën një meritë shumë të madhe, çka dëshmon një efiçentë shumë të lartë të operacioneve të shpëtimit, të drejtuar nga Komiteti Ndërministror. Jam mirënjohës për atë solidaritetit të jashtëzakonshëm që kanë treguar qytetarët shqiptarë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë u ka bërë apel të gjithë atyre njerëzve që të ndihmojnë banorët e përmbytur me lëndë ushqimore për gjënë e gjallë. Gjatë përmbytjeve në këtë fillim viti në veriperëndim të vendit u përmbytën mbi 11 mijë ha tokë dhe mbi 2 mijë banesa. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›