E Diel, 1 Nëntor 2026

Një i vdekur dhe gjashtë të plagosur në tri aksidente

Elbasan

Një i vdekur dhe gjashtë të plagosur ka qenë bilanci i tri aksidenteve automobilistike të ndodhura brenda 24 orëve të fundit në rrugët e Qarkut të Elbasanit. Ngjarja e parë ka ndodhur rreth orës 10.30 të së hënës në aksin Peqin-Elbasan, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjocajve”, rreth 2 km në dalje të qytetit të Peqinit. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se 46-vjeçari Ruzhdi Jupa nga Rrogozhina, me një veturë tip “Peugeot” ka aksidentuar për vdekje 60-vjeçarin Xhevat Bashalliu, i cili lëvizte me biçikletë. Ndërsa dje, rreth orës 02.30 të mëngjesit ka filluar procedimi penal në ngarkim të 27-vjeçarit Istref Sina nga fshati Veçan i Librazhdit, i cili akuzohet si shkaktar i një aksidenti të ndodhur në afërsi të fshatit Xhyrë në aksin rrugor Librazhd - Përrenjas. Si pasojë e këtij aksidenti janë plagosur tre persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Dje, rreth orës 14.15 një aksident tjetër u regjistrua në rrugën kombëtare Tiranë-Elbasan. Aksidenti në fjalë ka ndodhur në afërsi të kilometrit 29, aty ku ndahet rrethi i Tiranës me atë të Elbasanit dhe sipas policisë ka qenë një automjet tip autoveturë me targa TR1064C, që ka dalë nga rruga dhe më pas ka rënë disa metra poshtë në humnerë. Për pasojë një grua ka mbetur e plagosur rëndë, ndërsa drejtuesi i mjetit dhe një person tjetër kanë marrë plagë të lehta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›