Prefekti i Vlorës: Dëmshpërblimi nuk është punë e lehtë
Të përmbyturit nga Vjosa nuk kanë marrë ende asgjë
Familjet e zonave të përmbytura në Vlorë dhe Fier vazhdojnë dhe sot të ndjejnë pasojat nga “tërbimi” i lumit Vjosë disa muaj më parë. Shumë nga banorët tregojnë për “Shqip” se ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti. Sipas banorëve, dëmi shkoi në disa milionë lekë, por askush nuk u interesua apo dëmshpërbleu dëmet e pësuara nga dalja prej shtratit të lumit Vjosë. Ndërkaq prefekti i Vlorës, Hasan Halili, shprehet se nuk mund të përcaktohen data të caktuara për dhënien e dëmshpërblimeve, pasi priten përgjigjet e ekspertëve. “Dhënia e dëmshpërblimit në lekë është një procedurë e gjatë. Për të marrë dëmshpërblim nga Ministria e Financave nuk është aq e lehtë, pasi ka shumë nga këta persona që abuzojnë me dëmtimet, duke sjellë dhe shifra që nuk janë reale. Për dëmshpërblimin e banorëve nuk mund të themi ndonjë datë të saktë, pasi ka shumë procedura që kanë lidhje me njëra-tjetrën” thotë prefekti Halili. Ai shprehet gjithashtu se duhen rishikuar përgjegjësitë e përmbytjeve. “Dje kam inspektuar të gjithë autostradën dhe mendoj se për mbytjen e fshatit Bishan ka ndikuar dhe mosnjohja e zhvillimit të lumit nga kompania që po ndërton autostradën. Ne do ta shqyrtojmë dhe kemi ekspertë për këtë, të cilët kanë verifikuar dhe do të vazhdojnë të verifikojnë në terren. Më pas do të marrin një vendim që do t’ia propozojnë qeverisë për masën që mund të merret ndaj kësaj kompanie, nëse rezulton se ka qenë e pakujdesshme”, thotë prefekti.
#