E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferët e Burrelit protestojnë para bashkisë

Konkurrenca

Mbi 30 shoferë të licencuar në qytetin e Burrelit, që në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë protestuar para bashkisë, duke kërkuar të mos lejohen makinat e palicencuara për transportin e udhëtarëve. Ata kanë parkuar në sheshin para bashkisë, automjetet e tyre dhe kanë kërkuar takim me autoritetet e pushtetit vendor dhe të Policisë së Matit, për të bërë të ditura kërkesat e tyre. Një përfaqësi e shoferëve protestues kanë mundur të takohen me kryetarin e Bashkisë Burrel, Skënder Lleshi, dhe shefin e Komisariatit të Policisë Mat, Ismet Shkreta. Ndërkohë, protestuesit ngritën edhe një varg shkeljesh të tjera, në lidhje me qarkullimin e mjeteve për transportin e udhëtarëve, si: bllokimi i mjeteve me numër vendesh mbi lejen e qarkullimit, moslejimin e përdorimit për transport udhëtarësh të mjeteve me licenca turistike, përdorim familjar, targa të huaja etj.. Po kështu u kërkua që autobusët e Burrelit, ashtu si ata të Dibrës dhe Bulqizës, të lejohen të qarkullojnë në rrugët brenda qytetit të Burrelit. Autoritetet vendore premtuan se do koordinojnë veprimet edhe me task-forcën e tatimeve Dibër, për të ndaluar veprimtarinë e paligjshme të shoferëve të autobusëve dhe furgonëve të udhëtarëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›