E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Policia, larg tendencave politike gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit”



Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që Policia e Shtetit të zbatojë ligjin gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duke mos treguar asnjë tendencë politike. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e ka mbajtur gjatë përurimit të Komisariatit të ri të policisë në Bashkinë e Kamzës. “Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, strukturat e Policisë së Shtetit të zbatojnë ligjin me profesionalizëm dhe jashtë çdo lloj tendence politike”, - është shprehur Berisha. Duke u ndalur te procesi zgjedhor, kryeministri u shpreh se strukturat e policisë kanë krijuar një traditë të shkëlqyer të qëndrimit ligjor në procesin zgjedhor, procesi më i rëndësishëm që vendi ka çdo 4 vjet. Në këtë drejtim, ai shprehu bindjen se forcat e rendit do t’i qëndrojnë kësaj tradite dhe do të zbatojnë me profesionalizëm vetëm ligjin në momentin kur forcat politike do të bëjnë garën e tyre.
“Kjo është kërkesa e kësaj qeverie. Në zgjedhjet e fundit, ju keni kryer një detyrë shumë delikate, por e keni kryer me përgjegjësinë më të lartë dhe kjo është meritë e organeve të rendit, ndaj të cilave nuk ka pasur asnjë ankesë nga asnjë forcë politike. Shpreh bindjen time të plotë se jashtë çdo lloj tendence politike edhe në këto zgjedhje forcat e rendit do të përmbushin detyrimet në interesin më të mirë të vendit”, - është shprehur Berisha. Ai theksoi se këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë për Shqipërinë për shkak të anëtarësimit në NATO dhe kërkohet arritja në maksimum e standardeve euroatlantike.
“Në këto zgjedhje, projektorët e të gjithë botës së qytetëruar janë drejtuar te Shqipëria, sepse ne bëhemi vend anëtar i NATO-s dhe kemi një detyrim e përgjegjësi shumë më të madhe ndaj zgjedhësve dhe aleatëve, të cilët na dhanë një besim të paprecedent në historinë e kombit tonë. Shpreh bindjen për përkushtimin e organeve të policisë për një fushatë zgjedhore pa konflikte dhe konform të gjitha rregullave ligjore”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›