Bregu: “Hyrja në fuqi e MSA-së garanton lëvizjen e lirë të njerëzve”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka bërë të ditur dje gjatë një konference për shtyp, se sot, më 1 prill, hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e Shqipërisë me BE-në. Sipas saj, një ndër përfitimet direkte të Shqipërisë është lëvizja e lirë e mallrave dhe e punëtorëve. “MSA-ja parashikon vendosjen e një zone tregtie të lirë mes Komunitetit Europian dhe Shqipërisë, që do të thotë se palët do të krijojnë një hapësirë të përbashkët, ku mallrat, personat, shërbimet dhe kapitalet do të qarkullojnë lirshëm, pa barriera fizike dhe teknike. Përfitimet konkrete dhe të menjëhershme nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje është edhe lëvizja e lirë e punëtorëve”, - është shprehur Bregu. Sipas saj, zbatimi i marrëveshjes së përkohshme “Interim” është cilësuar e suksesshme nga komisioneri për Zgjerimin, Ren. Ajo tha se “zbatimi i dispozitave të Marrëveshjes së Përkohshme ka impakt në lëvizjen e lirë të mallrave. Me hyrjen në fuqi të MP, është vendosur gradualisht një zonë e tregtisë së lirë, e cila do të përfundojë brenda një periudhe maksimumi dhjetëvjeçare, duke nisur nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, si dhe reduktimi tarifor gradual deri në janar 2011. Zbatimi i Marrëveshjes së Interimit ka dhënë efektet e saj në shkëmbimin e mallrave bujqësore të vendit tonë me vendet e Bashkimit Europian”.
Statusi i kandidatit në BE, Topi, vizitë dyditore në Danimarkë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u nis dje për një vizitë zyrtare dyditore në Mbretërinë e Danimarkës, në krye të një delegacioni të gjerë të përbërë nga deputetë, përfaqësues të biznesit shqiptar, anëtarë të kabinetit etj. Në qendër të bisedimeve dhe takimeve me kryeministrin e Danimarkës, Anders Fogh Rasmusen, kryetarin e Parlamentit danez, Thor Pedersen, si dhe një sërë personalitetesh të larta të Mbretërisë së Danimarkës do të jetë zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe, integrimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi nga vendi ynë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, liberalizimi i vizave me BE-në, zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare.
1 Prill 2009