Topalli vazhdon turin e NATO-s në komunat e Veriut të vendit
Në kuadër të turit “Anëtarësimi në NATO, ne e mbajtëm premtimin”, kryetarja e Kuvendit është ndalur dje në Komunat Mnelvik, Hajmel e Vau i Dejës. Gjatë fjalës së saj, Topalli u shpreh se deri katër vite më parë këto komuna ishin të braktisura dhe të harruara, pa projekte zhvillimi, ndërsa tashmë banorët e tyre kanë mbështetjen e qeverisë dhe po jetojnë ndryshimin. Kryetarja e Kuvendit në takimet me banorët tha: "Shqipëria në NATO do të thotë më shumë mirëqenie, siguri dhe rritje ekonomike, një të ardhme më me perspektivë për fëmijët e tyre dhe të të gjithë Shqipërisë”.
Në Komunën e Hajmelit, kryetarja e Kuvendit u shpreh se Shqipëria në NATO, ëndrra e të gjithë shqiptarëve e kthyer në realitet, është premtimi i mbajtur. “Kanë mbetur më pak se njëqind orë kur Shqipëria në Strasburg, në më pak se katër ditë, do të pranohet si anëtare me të drejta të plota të kësaj aleance të mrekullueshme të lirisë. Kur prindërit tuaj ishin si ju, fëmijë, NATO ishte diçka e pabesueshme, e paimagjinueshme, shumë e largët. Kurrë ndonjëherë në historinë tonë, të kombit tonë, nuk kemi pasur një çast të një garancie kaq të madhe, të një perspektive kaq të ndriçuar”, - është shprehur Topalli, ndërsa premtoi se në 4-vjeçarin e ardhshëm, në mandatin e dytë të PD-së, fonde të tjera më të mëdha do të lëvrohen për banorët e këtyre komunave.
1 Prill 2009