KQZ-ja i kërkon PS-së rishikimin e listës së komisionerëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon Partisë Socialiste të riformulojë listën e përfaqësuesve të saj në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Në listën paraprake të komisionerëve që PS-ja ka depozituar në KQZ është shkelur ligji, pasi, sipas Kodit të Zgjedhor, 30 për qind e këtyre komisionerëve duhet të jenë të seksit femër. “Nga dy forcat politike, Partia Socialiste është e vetmja që nuk e ka respektuar këtë ligj. Kodi Zgjedhor i jep ende afat PS-së që të bëjë ndryshimet që duhen”, - tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli. Ai tha se trajnimi i trajnuesve të komisionerëve ende nuk ka nisur, ndërkohë që mësohet se procesi i trajnimit do të bëhet në bashkëpunimin me OSBE-në. Monitorimi i procesit të numërimit të votave është një tjetër problem me të cilin do të përballet KQZ-ja. “Kjo është një sfidë e dyfishtë për KQZ-në. Ajo ka të bëjë si me aspektin teknik pra të llojit të kamerave, ashtu edhe me infrastrukturën që kërkon ky sistem për përcjelljen direkt të imazheve për në qendër”, - tha Olli. Ai u shpreh se pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kërkohet maksimumi nga këto zgjedhje për të arritur standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike. KQZ ende nuk ka shpallur publikisht datën se kur do të fillojë përzgjedhja e firmës fituese, e cila do të mundësojë pajisjen me kamerat. Mjediset që do të shërbejnë për zgjedhjet janë caktuar dhe janë kontrolluar edhe nga inspektorët për kushtet që ato duhet të plotësojnë. Nga inspektimi i kryer ka dalë se ato përmbushin standardet e kërkuara. Lidhur me listat dhe korrigjimet e mundshme nëse ka gabime, Olli u bëri thirrje qytetarëve që të kontrollojnë listat paraprake brenda 28 prillit që do të jetë edhe dita e fundit për rregullimin e pasaktësive. “Ata që nuk do t’i korrigjojnë brenda këtij afati, nuk do të kenë më mundësi t’i korrigjojnë ato”, - tha Olli.
Luis Tanushi
1 Prill 2009