E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Politika agresive për uljen e deficitit buxhetor, do të rrudhim shpenzimet publike

Kryeministri mbështet planin e Ministrisë së Financave për uljen e borxhit publik

Kryeministri Berisha zhvilloi ditën e djeshme mbledhjen për Komitetin e Planifikimit të Strategjive ku diskutoi për uljen e deficitit buxhetor. Lidhur me tavanet buxhetore ministria e Financave, për periudhën 2011-2013, mendon se qeveria shqiptare duhet të adaptojë një qëndrim të ri, në interesin e ekonomisë shqiptare dhe të zhvillimit të vendit ndaj deficitit buxhetor dhe borxhit. Berisha informoi se këtë vit Ministria e Financave kërkon të likuidojë borxhin

që është marrë vitin e kaluar për të përballuar krizën ekonomike. Ministria e Financave, me mbështetjen dhe miratimin tim të plotë, kërkon që këtë vit të likuidojë kredinë që ne morëm vitin e kaluar. Ajo kredi u mor në kushte të një krize botërore dhe, vetëkuptohet, në kushte dhe interesa rënduese, u shpreh kryeministri Berisha.  Ai më tej shtoi se fondet që do të përfitohen nga eurobond-et e Shqipërisë, që do të emetohen për herë të parë në vendin tonë, do të përdoren për shlyerjen e këtij borxhi. Këtë vit parashikimi është shumë më pozitiv. Interesi i bankave më serioze të Evropës për eurobond-et e Shqipërisë, që emetohen për herë të parë në historinë e vendit, është i lartë, por duhet të jemi realist se pjesa dërrmuese e këtyre fondeve do të përdoret për të likuiduar përfundimisht kredinë që morëm vitin e kaluar, në mënyrë që interesat e saj të mos rëndojnë në borxhin dhe financat shqiptare. Vendimi për likuidimin e kësaj kredie dhe, nga ana tjetër, adaptimi i një politike më agresive në zvogëlimin e deficitit buxhetor dhe zvogëlimin progresiv të borxhit publik të vendit kërkon një përqasje të re ndaj të gjitha parashikimeve të bëra, tha kreu i qeverisë. Berisha theksoi se ulja e deficitit buxhetor është e domosdoshme për të pasur një stabilitet makroekonomik të garantuar, por edhe për të pasur një reputacion evropian e botëror të domosdoshëm për besimin e investitorëve nga e mbarë bota. Gjithashtu ai shtoi se edhe shpenzimet do të rrudhen, sepse duhet të adoptojmë një politike agresive në uljen e borxhit publik të vendit. Kjo sjell, në mënyrë të vetvetishme, inkurajim më të madh të investitorëve të huaj dhe përmirësim të sigurt të rating-ut. Ndonëse fatkeqësia është se ata që vlerësojnë janë vetë për tu vlerësuar, por kjo është jashtë mundësisë së kësaj qeverie. Kështu që sërish gjykatësi mbetet po ai. Mirëpo rating-u i tyre ka shumë rëndësi. Në vlerësimin e performancës, për vende si ne, ata e kanë borxhin publik një nga kriteret më të rëndësishme, shtoi kryeministri. Ai vijoi më tej fjalën e tij duke thënë se do të ketë shkurtim të shpenzimeve, por pa prekur fushat prioritare që janë rrogat dhe pensionet. Po ashtu nuk mund të preken akset kombëtare që përbëjnë edhe betejën e qeverisë për transformimin e Shqipërisë në këto katër vite. Rruga e Arbrit, autostrada Tiranë- Elbasan, Korçë Qafë Plloçë dhe Boshti i Jugut do të ndërtohen me çdo kusht. Po ashtu nuk do të preken fondet për arsimin. Megjithëse, zoti ministër, me sistemin e ri financiar që do të vendoset për llogari të arsimit nuk mund të them se do mbetemi, sepse shtimi i burimeve të tjera për arsimin mund të këtë efekte çliruese në disa burime. Ndaj, finalja do të jetë pas përcaktimit përfundimtar të sistemit të financimit të arsimit në Shqipëri, i cili nuk do të interesojë vetëm për universitetet, por edhe për shkollat e tjera, tha Berisha. Mbështetje të plotë do të ketë edhe reforma në shëndetësi. Berisha theksoi se do të vijojë privatizimi i plotë i aseteve publike, ku ves digave, shkollave dhe spitaleve, pasuritë e tjera do të jenë private dhe shteti do të jetë pronar sa më i vogël. Ne jemi para disa proceseve shumë të rëndësishme, para një privatizimi të plotë të aseteve publike. Përveç digave, shkollave dhe spitaleve pasuritë e tjera në këtë vend do të jenë private. Shteti të jetë një pronar sa më i vogël. Politikat fiskale dhe e gjithë reforma që po bëhet në ekonomi, reforma e sistemit të investimeve të huaja dhe sistemit të inspektorateve, të gjitha këto parakuptojnë inkurajim të madh dhe fluks të madh investimesh, theksoi Berisha. 

Denisa PLAKA

Last Updated on E Merkure, 17 Shkurt 2010 22:12

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›