E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Politika e bllokimit të reformave u ndëshkua me votë më 8 maj

19-07-2011 / Gazeta 55

Në mbledhjen e fundit për këtë sesion të Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha ka përshëndetur kohezionin e treguar nga ligjvënësit, me miratimin e dhjetëra ligjeve, duke e etiketuar taktikën bllokuese e bojkotuese të opozitës si një politikë pa të ardhme

Nga mbledhja e fundit e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për këtë sesion të Kuvendit, kryeministri Sali Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, se është anti-reformave.
Qëndrimi i kryeministrit Berisha vjen pas refuzimit nga socialistët të ftesës së demokratëve për mbledhjen e tryezës së partive politike, me qëllim nisjen nga puna të hartimit të reformës së re zgjedhore. Sipas kryeministrit, ftesa e Astrit Patozit drejtuar homologut të tij Ruçi, ishte në konfidencialitet të plotë si dhe një dëshmi e qartë, për plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
“Katër apo pesë ditë më parë, në konfidencialitet të plotë, zoti Patozi iu drejtua me një letër zotit Gramoz Ruçi që të nisnin punën edhe gjatë këtij sesioni, për të dëshmuar dhe dërguar sinjalet më pozitive, për plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, rekomandimeve që ekzistojnë dhe të atyre që vijnë. Sigurisht që do të pritet raporti i këtyre zgjedhje. Pa diskutim, pasi edhe ky raport do të ketë rekomandimet e tij. Përgjigjja ishte se kemi të bëjmë me një qeveri fashiste, orientale dhe ky ishte termi i fundit i një fjalori që ka mërzitur aq shumë veshët e shqiptarëve dhe që vet shqiptarët ditën të qëndrojnë ndaj tij në zgjedhjet e 8 majit. Sidoqoftë, ne sërish qëndrojmë të hapur. Ne besojmë se çdo forcë politike ka të drejtë të zgjedhë qëndrimin e saj”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë Berisha deklaroi se kryesocialisti Rama e mori ndëshkimin e tij më 8 maj, për bojkotin e Kuvendit si dhe mbajtjen peng të konsensusit të reformave të integrimit. “Zoti Rama beson se bojkoti ishte një strategji e suksesshme. Po të lexojë mesazhin e shqiptarëve, uroj që ta lexojë, ai mund të nxjerrë një konkluzion tjetër”, tha Berisha. Sipas kryeministrit, vota e 8 majit rezultoi një votë plebishitare për koalicionin qeverisës dhe mazhorancën e këtij vendi.
“E vërteta është se në qoftë se 8 maji u ftua nga ana e tij si një referendum kundër qeverisë, rezultoi në të kundërtën e tij, rezultoi si një mbështetje plebishitare për qeverinë”, tha Berisha.
Në mbyllje të sesionit parlamentar, Berisha shprehu keqardhje që krahas miratimit të shumë ligjeve të rëndësishme, Kuvendi s’ia doli të kalojë ato me shumicë të cilësuar, për shkak se socialistët kushtëzuan raportet me parlamentin. Kësisoj, kryeministri veçoi si ligje të “pa miratuara”, reformën zgjedhore, e cila edhe ishte një prej rekomandimeve kryesore të OSBE/ODIHR si dhe ligjin Për Gjykatën Administrative.
“Krahas këtyre arritjeve të mëdha në të gjitha fushat, për fat të keq, nuk u kompletua dot, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, reforma zgjedhore dhe nuk u miratua dot në Parlament ligji për Gjykatën Administrative. Ndërkohë, u miratua  e tërë paketa ligjore, e cila bëri që sot shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Evropën dhe kjo është meritë e madhe juaja. U miratua paketa ligjore për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kjo është merita juaj e madhe. Por, nuk u miratua dot ligji për Gjykatën Administrative, nuk u miratua dot Kodi për Transportin Ajror, ndonëse në këtë ligj, sikundër në të gjitha këto të tjerat, nuk ka asgjë partiake. Pra, disa nga reformat ngecën për shkak të vendimit të zotit Rama për të përdorur fuqinë e tij, pushtetin që sovrani i ka dhënë me votën e lirë, për të bllokuar dhe jo për të votuar”, veçoi Berisha.
Parlamenti mbyll ditën e enjte punimet për këtë sesion, për të rinisur sesionin e ri, javën e parë të muajit shtator.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›