Edi Rama bojkoton zyrtarisht Evropën

Pasi ka bllokuar për 2 vjet rresht miratimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, PS ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e radhës të Këshillit të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE. Ftesës së qeverisë për të përfshirë në delegacion një përfaqësues nga opozita, Edi Rama i është përgjigjur, nëpërmjet gojës së Ermelinda Meksit me një bojkot publik, duke konfirmuar se sa të ketë mundësi, ai s’do të reshtë së penguari rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian
Partia Socialiste s’guxon të përballet me delegacionin e Bashkimit Evropian në Bruksel, në takimin e 3-të të këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Pas bojkotit 2 vjeçar të Kuvendit të Shqipërisë, Partia Socialiste kushtëzon marrëdhëniet edhe me Bashkimin Evropian, në njëjtën formë, mënyrë dhe drejtim me bojkotimin e gjatë të institucioneve shqiptare. Sot në Bruksel zhvillohet takimi i 3-të i këshillit të Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë, konkluzionet e të cilit do jenë edhe udhërrëfyesi për opinionin e Komisionit Evropian të nëntorit të këtij viti, por në diskutimet e sotme nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës, çka tregon indiferencën e të majtës dhe shpurës së Edi Ramës, ndaj aspiratës Evropiane të Shqipërisë. Atëherë kur konsensusi politik është më i rëndësishëm se kurrë, mazhoranca ftoi publikisht opozitën të ndiqte takimin BE-Shqipëri si dhe të dëgjonte aty rekomandimet e Brukselit për aspiratën e integrimit evropian të Shqipërisë. Por, opozita shqiptare tregoi anën e saj më të errët, duke bojkotuar takimin e nivelit të lartë të qeverisë shqiptare me Bashkimin Evropian. Burime nga selia rozë nuk japin shpjegime për refuzimin e ftesës së mazhorancës për të marrë pjesë edhe një përfaqësues i opozitës në diskutimet me zyrtarët e Brukselit. Deputetja socialiste Ermelinda Meksi ka refuzuar ftesën e zv/kryeministrit Edmond Haxhinasto, përmes një komunikimi zyrtar, por duke mos dhënë sqarime të hollësishme se pse një përfaqësues i opozitës nuk ndjek nga afër takimin konsultativ BE-Shqipëri, vetëm pak muaj para dorëzimit të opinioni të progres raportit të vendit tonë për vitin 2011-të. Kujtojmë se nga vlerësimi i dokumentit të Komisionit Evropian, i cili publikohet javën e parë të muajit nëntor, do të varet marrja ose jo e statusit të vendit kandidat për në BE. Sipas deklaratave të para të Brukselit zyrtar, Shqipëria i ka të gjitha shanset që në fund të vitit të konsiderohet vend kandidat. Sidoqoftë, sikleti i znj.Meksi, është i kuptueshëm. Në panelin e përfaqësuesve të përhershëm të Bashkimit Evropian renditen personalitete që kanë zhvilluar historinë e unionit 27 anëtarësh dhe përballja me një kulturë formim të tillë nuk është në sojin e socialistëve të Edi Ramës. Znj.Meksi s’do ishte në gjendje të justifikonte bojkotin absurd të Kuvendit si dhe kushtëzimin e reformave të integrimit me karrigen e Edi Ramës. Dhe po ashtu, s’do ishte as në etikën dhe moralin e saj, që të guxonte të merrte në mbrojtje veprimet foshnjarake të të paudhit të socialistëve. Komiteti i Stabilizim-Asocimit, u krijua me qëllim që të ndihmojë Këshillin e Stabilizim-Asociimit në kryerjen e detyrave të tij. Komiteti përbëhet nga përfaqësues të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe nga përfaqësues të Komisionit të Komuniteteve Evropiane nga njëra anë, si dhe nga përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë nga ana tjetër.