E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Politikanët si Edi Rama janë si limonada”

Kryeministri komenton fitoren e zgjedhjeve në Ballagat

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në një tur përurimesh në qytetet e Jugut të vendit, ka komentuar dje nga Dhërmiu fitoren e PD-së në komunën e Ballagatit. Ndërsa ka falëndëruar banorët që kanë votuar për PD-në është shprehur se me votën e tyre ata i dhanë një mësim të mirë Edi Ramës. “Unë shfrytëzoj rastin të përshëndes nga Bregu zgjedhësit e Ballagatit, të cilët konfirmuan besimin e palëkundur te maxhoranca, te ndryshimi i Shqipërisë. I falënderoj ata për mësimin e shkëlqyer që i dhanë Edi Ramës, i cili në arrogancën e tij, në fodullëkun e tij, e ka të vështirë të nxjerrë mësime. Në asamblenë e tij, të cilën e mblodhi megjithëse është mandat humbur, deklaroi se nuk do t’i njihte zgjedhjet. Unë dua t’i them zotit Rama, këtu nga Dhërmiu, këto fjalë: Në qoftë se ti nuk njeh popullin tënd, kujdes se do të marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është se ai nuk do të të njohë ty fare. Populli është i përjetshëm, kurse politikanët si ti janë limonada të përkohshme, që thartohen në verën e parë dhe kështu u thartove edhe ti”, - është shprehur Berisha, i cili, në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ka përuruar ujësjellësin e një fshati jugor dhe ka premtuar investime të tjera të qeverisë në këtë zonë.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›