E Diel, 1 Nëntor 2026

Patentat shqiptare vlejnë edhe në Itali, në 15 gusht hyn në fuqi vendimi



Ervin KOÇI

Të gjithë drejtuesit e automjete në Shqipëri (shoferë ose pronarë makinash), tani do të kenë të drejtën të udhëtojnë edhe në vendin fqinj, Itali, me patenta shqiptare. Sipas një marrëveshje të posaçme mes qeverive të dy vendeve, e cila është nënshkruar më 27 tetor 2008 dhe hyn në fuqi më 15 gusht 2009, shoferët e të dyja vendeve mund të qarkullojnë me patentat (lejet e drejtimit të automjetit) e tyre pa i ndryshuar ato, pasi tashmë këto dokumente do të njihen nga autoritet e të dyja vendeve. Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një informacioni zyrtar Ministria Shqiptare e Transporteve, e cila në faqen e saj elektronike ka botuar njoftimin i cili u kujton hyrjen në fuqi të gjithë shoferëve shqiptarë. Sipas njoftimit, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve", nënshkruar më 27 tetor 2008, do të hyjë në fuqi më 15 gusht 2009. Të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, do të mund të përdorin lejet e drejtimit të automjeteve shqiptare”. Dje drejtori i drejtorisë së Transporteve, në Ministrinë e Transporteve, Kujtim Hashorva, deklaroi se pas firmosjes së marrëveshjes shtetasit shqiptarë që qëndrojnë për një vit në vendin fqinj nuk kanë nevojë të pajisen me patenta ndërkombëtare. Pas hapjes së dritës jeshile nga ana e Italisë, në mbledhjen e Komisionit greko-shqiptar në Ministrinë e Transporteve, u vendos që të fillojnë të njëjtat procedura edhe me Greqinë.

Përfituesit

Janë disa kategori personash që mund të përdorin në vendin fqinj patentat shqiptare ose ti konvertojnë ato pa pasur nevojën për të bërë asnjë pagesë. Kështu, kategoria e parë që përfiton nga kjo marrëveshje janë ata që qëndrojnë një vit në Itali. Këta persona nuk kanë nevojë të nxjerrin një leje drejtimi ndërkombëtare, por mjafton të përdorin patentën shqiptare brenda kësaj periudhe kohore. Ndërkohë, që për studentët apo dhe për ata që janë me qëndrim të përkohshëm në Itali, mjafton të dorëzojnë patentën e marrë në Shqipëri dhe do të marrin të njëjtën kategori të patentës italiane. Shqiptarët të cilët prej kohësh nuk kanë mundur të marrin patentën italiane, por kanë patentën shqiptare dhe që kanë qëndrim më tepër se 3 vjet në Itali, e drejta e konvertimit ju njihet pa kryer kurset e autoshkollave, por duke dhënë një prove mbi aftësitë dhe shprehitë e drejtimit të automjetit. Sipas marrëveshjes mes dy vendeve patenta e re shqiptare konvertohet menjëherë dhe automatikisht pa shpenzim. Gjithashtu, bëhet e ditur se do të konvertohen të gjitha patentat e tipit të vjetër, brenda një periudhe njëvjeçare nga hyrja në fuqi e marrëveshjes. Ndërkohë, mësohet se dokumenti nuk do të tërhiqet nga zyrat e përfaqësive tona diplomatike në Itali, si deri tani, por drejtpërdrejt nga zyrat e Motorizacionit Civil, njësoj si për qytetarët italianë.

Patenta

Sipas kësaj marrëveshjeje evitohen shpenzimet suplementare dhe radhët në sportelet e ambasadës dhe konsullatave tona në Itali. Po ashtu, saktësohet se të gjithë drejtuesit e automjeteve profesioniste shqiptare, të cilët janë në emigracion në Itali, që disponojnë kategoritë B, C, D, D+E, do të përfitojnë në kohë. Kjo për faktin se marrja e të gjitha kategorive të patentave italiane, bazuar në legjislacionin italian, kërkon plotësimin e intervaleve kohore nga një kategori në tjetrën, kohë e cila është dy deri në tre vjet.

Dokumenti i ri

Leja e re e drejtimit të automjeteve përmban të gjitha elementët e sigurisë sipas normave të Bashkimit Europian, çka e bën këtë dokument të besueshëm. Në elementët e sigurisë së patentës së re janë të shënuara, ngjyra e syve, grupi i gjakut si dhe shumë elemente të tjerë, të cilët janë të njëjta me standardet e kërkuara nga Komuniteti Evropian. Gjithashtu ky dokument përmban edhe dy nga elementët e lartë të sigurisë, siç janë shenjat e gishtërinjve dhe shiritin magnetik, që e bëjnë këtë patentë të vlefshme edhe në shtetet e tjera. Pajisja me këtë patentë kushton 5 mijë lekë për të gjithë ata qytetarë që pajisen për herë të parë.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›