E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pranimi i kufijve, krucial për paqen në Ballkan

Në ligjëratën e tij të mbajtur në Romë në takimin mbi sigurinë globale me temë “Sfidat kryesore, sot, pёr paqen dhe sigurinё”, kryeministri Sali Berisha vlerësoi ndryshimet rrënjësore në Ballkan, duke veçuar faktin se asnjë rajon tjetër në Evropë nuk ka ndryshuar më shumë se ky rajon.

“Unë mendoj se Ballkani ka arritur këtu edhe falë përpjekjeve të jashtëzakonshme pozitive të vendeve tuaja për të ndihmuar kombet tona dhe rajonin tonë. Por sërish disa problem mbeten. Unë kam bindjen se ndryshimet në rajon janë përfundimisht të pakthyeshme. Ajo që është më e rëndësishmja për të gjithë ne që jetojmë në këtë rajon është të kuptojnë e pranojmë se këto ndryshime janë të pakthyeshme dhe se koha nuk mund të kthehet mbrapa”, tha Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ai vlerësoi heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar këtë si një arritje të shtetit ligjor në Kosovë.

Në këtë kontekst, kryeministri Berisha tha se pranimi i kufijve ekzistues është kruciale për paqen dhe stabilitetin e rajonit e Ballkanit.

Ai nënvizoi se çdo përpjekje për të rishikuar kufijtë, hap një zinxhir tensionesh dhe konfliktesh që sipas tij do të duheshin shumë vite për t’u zgjidhur.

“Në Kosovë ka disa minoritete, përfshirë ai serb. Por në mënyrë të habitshme, shumica e serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, jetojnë në paqe e harmoni me shqiptarët, ndërsa serbët, që jetojnë në tre komuna në veri të Mitrovicës, ku nuk ka shqiptarë, jetojnë në tension, në një kohë kur askush nuk i lëndon, askush nuk ua kufizon të drejtat njerëzore. Çështja e këtyre tre komunave duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kufijtë e Kosovës dhe integriteti territorial i saj duhet të respektohen. Problemi kryesor në këto tre komuna është kontrabanda. Kontrabanda me shqiptarët, maqedonasit, boshnjakët, të gjithë. Kjo është e vërteta. Dhe kjo sepse ata janë jashtë kontrollit”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ai tha se në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të rajonit në NATO, Shqipëria po punon fort për t’u afruar edhe më shumë me Bashkimin Europian, duke vendosur marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e saj.

Kryeministri u ndal tek kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit duke theksuar se Shqipëria e feston këtë ditëlindje, si një vend anëtar i NATO-s.

Duke iu referuar ngjarjes më të rëndësishme të kombit shqiptar, shpalljes së Pavarësisë 100-vjet më parë, kryeministri Berisha tha se për të një ditë tejet emocionuese dhe historike ishte edhe ngritja flamurit kuq e zi në Bruksel, në 2009-ën, kur Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plotë në Aleancën e atlantikut të Veriut.

Kryeministri Berisha u ndal edhe tek dhuna në Siri, ku deklaroi se Asad është një diktator tjetër mizor që po sfidon botën e lirë, duke e krahasuar atë me Millosheviçin, Sadamin dhe Gaddafin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›