E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pranoj rezultatin, sido që të jetë

Kryeministri Sali Berisha, tha se u besonte vetëm të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sa i përket rezultatit


TIRANË- Kryeministri Sali Berisha u shfaq mbrëmë para mediave me një qetësi që, në fakt, nuk e karakterizon aspak në jetën e përditshme, për të deklaruar se procesi i numërimit të votave po ecte normalisht dhe se PD-ja nuk do të bllokonte edhe këtë pjesë të dytë të procesit zgjedhor. "Sot është dita e parë në historinë e zgjedhjeve që nga selitë e forcave politike nuk kemi dëgjuar rezultate.


Por ajo që vlen të theksohet është ecuria e procesit. Kjo flet për integritet të procesit të numërimit, që është procesi më delikat dhe ndër më të rëndësishmit",- tha kreu i PD-së, duke shtuar se dita e djeshme ishte një ditë që dallon nga gjithë ditët e tjera postelektorale. Sipas tij, merita, në radhë të parë u takon numëruesve, por edhe teknologjisë.


Por, i pyetur mbi të dhënat që publikonte media, e cila raportonte për një avantazh të dukshëm të PS-së, në orët e vona të mbrëmjes, Kryeministri Berisha tha se u besonte vetëm të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke mos marrë përsipër të komentojë të dhënat e publikuara, që, sipas tij, ndryshonin në çdo orë.


I pyetur nëse do ta pranonte rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, Kryeministri, ndryshe nga çdo herë tjetër, që nuk jepte përgjigje, pasi shprehej i sigurt se do të fitonte, kësaj here, ka deklaruar se nuk kishte asnjë diskutim. "Pa asnjë lloj diskutimi e kam deklaruar që mbrëmë.


Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet dhe me rezultatin e zgjedhjeve dhe, sido që të jetë ai, unë do ta pranoj",- tha dje Berisha. Kreu i ekzekutivit ka komentuar edhe raportin e OSBE/ODIHR-it, duke përshëndetur përmbajtjen e tij.


Megjithatë, ai nuk ka pranuar që zgjedhjet nuk përmbushen standardet, teksa i referohej deklaratës zyrtare të Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtarë. "Në një raport paraprak nuk ka asnjë fjalë të thuhet, përkundrazi komentet që vijnë nga Brukseli janë pozitive.


E rëndësishme është që qytetarët votuan me sistemin, infrastrukturën teknike më moderne. Kjo përbën një arritje shumë të madhe për këtë vend. Jashtë çdolloj mundësie, që zgjedhje të përsosura nuk ekzistojnë gjëkundi",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›