E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i Vëzhguesve: Zgjedhjet me probleme, s'u plotësuan standardet

OSBE/ODHIR-i, Këshilli i Europës dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, përpilojnë raportin e parë paraprak, që lidhet me procesin e votimit.


TIRANË- Zgjedhjet e 28 qershorit ishin përgjithësisht të qeta, por u shoqëruan me mjaft probleme e, për pasojë, nuk plotësuan standardet e kërkuara. 24 orë pas përfundimit të procesit të parë zgjedhor, atë të votimit, Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve doli në përfundimin se procesi zgjedhor në Shqipëri demonstroi përmirësime, por, në të njëjtën kohë, konstatoi se shkeljet vazhdojnë.


Shkelje, të cilat, sipas Misionit të Vëzhguesve, nuk plotësuan, së paku, standardet e kërkuara nga NATO. Me tone tepër kritike, Kryetari i Asamblesë Parlamentare i NATO-s, Bruce George, e ka thënë troç se Shqipëria nuk i plotësoi standardet e NATO-s, duke shpresuar se një gjë e tillë mund të realizohet vetëm në mandatin tjetër, pas katër vitesh.


"Do të doja të kujtoja që standardet që janë vënë për zgjedhjet, ato standarde, që duhen të respektohen, duhet të arrihen janë përcaktuar nga OKB-ja, OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian.


Dhe këto janë të panegociueshme. Pasojat do t'i shihni vetëm nëse nuk do t'i plotësoni. Sa i përket mënyrës ose zhvillimit të zgjedhjeve të djeshme, a i arriti këto standarde? Më pak fjalë, jo. A ka mundësi Shqipëria që deri në zgjedhjet e tjera të ardhshme parlamentare t'i arrijë këto standarde?


Po, ka",- tha dje George. Ndërkohë, në një deklaratë të përbashkët, vëzhguesit thanë se zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm për sa i përket futjes së procedurave të reja të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhëseve, si dhe miratimit të një kuadri të përmirësimit ligjor.


Por vëzhguesit theksuan, gjithashtu, se këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës, të cilat e dobësuan besimin e publikut tek procesi zgjedhor. Sipas vëzhguesve, dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore dhe atmosfera u përmirësua.


Procesi i votimit


Vëzhguesit e konsideruan procesin e votimit pak më pozitiv sesa ai i zgjedhjeve të kaluara, por vërejtën shkelje procedurale të lidhura veçanërisht me shënimin me bojë dhe votimin e përhapur familjar.


Misioni tha se ishte shumë herët për të bërë një vlerësim përfundimtar, pasi numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve, nuk kanë përfunduar ende. "Vendi ka fituar pjekuri, ka përparuar dhe shumë prej frikërave që kemi pasur vetëm disa muaj më parë, nuk janë konkretizuar.


Unë sigurisht jam i gëzuar për progresin që pamë, por janë ende një numër i konsiderueshëm çështjesh që duhen trajtuar, veçanërisht klima e polarizuar politike",- tha Wolfgang Grossruck, zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Koordinatori i Misionit të Vëzhguesve Afatshkurtër të OSBE-së.


Ndërsa Kryetari i Misionit të Vëzhguesve Afatgjatë të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Audrey Glover, u shpreh se ishte për të ardhur keq, pasi niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit, nuk e rritën besimin e publikut në procesin zgjedhor.


Corien Jonker, kryetare e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deklaroi se bie një përgjegjësi shumë e madhe mbi autoritetet dhe aktorët kryesorë politikë në vend, të cilët duhet të punojnë shumë për të krijuar besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor demokratik.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›