E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pranojmë ujgurë nëse do na e kërkojë SHBA

 

Adi Shkembi

Shqipëria mund të pranojë ujgurë të tjerë nga burgu i Guantanamos, nëse do t’ia kërkojë SHBA. Kryeministri Sali Berisha tha dje në një konferencë për shtyp se gjatë vizitës në Uashington nuk i ishte bërë një kërkesë e tillë, por shtoi se nëse kjo do të vijë, Tirana zyrtare do ta shqyrtojë. I pyetur mbi takimin me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton rreth kësaj çështje, kreu i qeverisë tha se “nuk ka asnjë kërkesë nga qeveria e SHBA për të marrë të burgosur, por ju siguroj se në rast se do ketë kërkesë, ajo do të shqyrtohet me seriozitetin më të madh”, u shpreh Kryeministri Berisha. Por teksa konfirmoi se nuk kishte një kërkesë të tillë nga qeveria amerikane, kreu i qeverisë doli kundër qëndrimit të disa vendeve të tjera, të cilat ishin shprehur pro mbylljes së këtij burgu dhe nuk japin kontributin e tyre për strehimin e të burgosurve. “Nuk e kuptoj që vendet mike të mos kontribuojnë në këtë rast për një problem që të gjitha e kanë kritikuar dhe tani që Presidenti Obama shprehet se do ta mbyllë dhe që kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv, të mos i jepet ndihma modeste për zbatimin e këtij vendimi. Pra nuk ka një kërkesë”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Në një konferencë të posaçme për shtyp pas ardhjes nga Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve në SHBA, Kryeministri Berisha tha se rreth 18 muaj më parë ai ishte shprehur për mbylljen e burgut të Guantanamos, i cili sipas tij, kishte ndikuar negativisht në imazhin e SHBA-së. Në të njëjtën kohë ai pranoi se strehimi i pesë ujgurëve në vitin 2006 nuk u prit mirë nga Kina. “Në rast se do të ktheheni mbrapa në kohë dhe 1 vit e gjysmë më parë, publikisht unë jam shprehur për mbylljen e atij burgu, sepse ai burg u bë simbol i asaj që SHBA nuk janë. Ka qindra mijëra burgje në këtë planet me kushte pakrahasimisht me atë burg, por kamerat aty të përqendruara dhe ai u bë simbol i asaj që SHBA nuk janë. Në këtë kontekst e përshëndes vendimin e Presidentit Obama për ta mbyllur atë burg. Ne morëm pesë ujgurë, pati reagim nga vendi mik, problemet u zgjidhën”, theksoi më tej Berisha. Tre vjet më parë, me kërkesë të SHBA-ve, në Shqipëri erdhën pesë ujgurë, të cilët deri në atë kohë mbaheshin në burgun e Guantanamos. “Nëse do t’i kishim kthyer mbrapsht në Kinë, qeveria e Pekinit do t’i kishte arrestuar, torturuar dhe ndoshta edhe vrarë”, ka deklaruar një zëdhënës i qeverisë amerikane, i cili vlerësoi gjestin human të qeverisë së Tiranës. Por ky veprim i qeverisë shqiptare nuk u mirëprit nga qeveria e Pekinit, e cila ndonëse nuk u shpreh, krijoi një periudhë ftohje të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo prishje e marrëdhënieve me Kinën ka bërë që shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian të mos pranojnë kërkesën e pesë ujgurëve për azil politik. Kinezët ujgurë janë një grup me prejardhje turke të besimit mysliman, që lufton, shpesh edhe me armë, kundër qeverisë së Pekinit për të krijuar Republikën autonome të Turkistanit Lindor.

“Politikat tona antikrizë”

Kryeministri Berisha tha dje se politikat e ndërmarra nga qeveria janë anti-krizë. Në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë tha se “Në të gjitha ballafaqimet mund t’u them se politikat ekonomike tonat janë politikat më të mira anti-krizë. Kur unë informoja bashkëbiseduesit e mi se në 2008 investuam 10% të GDP në infrastrukturë (qeveria e dytë që investonte më shumë në infrastrukturë ishte 5.5% e GDP)”. Sipas tij “ne jemi taksë e ulët, jemi vendi me taksa më të ulëta në Evropë. FMN i cili po e monitoron krizën sugjeron më shumë rritje shpenzimesh se sa ulje taksash. Për rastin e Shqipërisë jam dakord. Ne i kemi ulur taksat. Edhe shpenzimet, çfarë do synojmë ne? Ne po ndjekim me vëmendje të madhe zbatimin e shpenzimeve, pa ndërmarrë rritje të mëtejshme të tyre sepse janë të mëdha këto që kemi përcaktuar. Në tërësi do të qëndrojmë brenda zotimeve që kemi marrë me FMN”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›