E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia e Greqia, partnerët kryesorë tregtarë

Prof.Anastas ANGJELI 

Kriza financiare globale, që tashmë ka përfshirë  gjithë vendet dhe ekonominë globale, është prezente edhe në rajonin dhe vendin tonë. Kësisoj ajo ka ndikuar edhe në ekonomitë e vendeve partnere dhe bashkëpunuese me ekonominë shqiptare, e sidomos me vendet të cilat kanë luajtur dhe luajnë rol kryesor, janë partnerë preferencialë e parësorë në fushën e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, Italia dhe Greqia. Deklaratat dhe nismat e fundit të Kryeministrit italian Berluskoni dhe atij grek Karamanlis, për përballimin e krizës aktuale në vendet e tyre, janë gjithashtu një sinjal për rritjen e efeciencës edhe të diplomacisë sonë ekonomike. Prandaj dhe nga vazhdimi i këtij bashkëpunimi dhe harmonizimi i veprimeve dhe masave antikrizë, edhe me institucionet dhe ekonomitë e këtyre vendeve, shtohen shanset për minimizim të këtyre pasojave dhe për më tepër mundësi zhvillimi e integrimi në të ardhmen.
 
Vizita e mirëpritur e
Bakojanis në Tiranë
Pavarësisht nga motivi kryesor i vizitës së mirëpritur të Ministres së Jashtme të Greqisë, znj. Bakojanis në Tiranë, ai i drejtimit të OSBE-së për 6-mujorin e parë të këtij viti, kjo vizitë është një oportunitet për të çuar përpara edhe marrëdhëniet dypalëshe shumë dimensionale midis dy vendeve tona, politike, diplomatike, ekonomike, tregtare financiare, sociale dhe natyrisht edhe ato integruese në strukturat euroatlantike.
Kësisoj, që zhvillimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve  midis dy vendeve, politika rajonale dhe veçanërisht zhvillimi i zgjedhjeve të lira, demokratike e sipas standardeve evropiane, në mes të këtij viti, mbështetja e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE e në NATO (Miratimi tashmë i kryer i MSA, dhe miratimi i pritshëm i protokollit për anëtarësim në NATO, që janë prioritete) mund të përbëjnë objektin e këtyre marrëdhënieve, kjo nuk ka dyshim.
Por, mendoj dhe besoj se është një oportunitet shumë i mirë që me znj.Bakojanis (ashtu si dhe me partnerët italianë, ne rastin më të parë) mund të shfrytëzohet mundësia për t'i dhënë një zhvillim dhe impuls të ri jo vetëm diplomacisë ekonomike, zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare por dhe harmonizimit të veprimeve, masave, aksioneve(aq dhe sa lidhen, është e mundur dhe e nevojshme) për minimizimin e pasojave të krizës financiare globale në vendet tona. Kjo, jo vetëm se tashmë në politikën globale, evropiane dhe atë rajonale, është pjekur mendimi se pasojat e kësaj krize mund të përballen me aksione e veprime të përbashkëta, por edhe për faktin se ...
 Bashkëpunimi ekonomik e tregtar me Italinë dhe Greqinë mbeten në mbështetje për zhvillim e integrim 
Gjatë këtyre gati 19 viteve të tranzicionit ekonomik të vendit tonë, Italia dhe Greqia kanë qenë dhe mbeten partnerët kryesorë ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë(dhe së bashku me vendet e tjera të rajonit, Ballkanit perëndimor, Turqisë, Gjermanisë, SHBA-së etj, përbëjnë hartën e plotë bashkëpunuese në këto fusha). Ky partneritet i dobishëm ka qenë në shumë drejtime, programe e projekte tashmë të njohura, në fushën e bashkëpunimit ekonomik, financiar, tregtar, të investimeve të huaja, trajnime etj.
Po t'i shtojmë kësaj edhe faktin se gati një milion shqiptarë jetojnë dhe punojnë, pas viteve '90, në këto dy vende(rreth 700 mijë në Greqi dhe rreth 300 mijë në Itali dhe fluksi i të ardhurave prej tyre drejt Shqipërisë ka qenë i konsiderueshëm), e për më tepër në kushtet e krizës aktuale, rëndësia ndaj këtyre marrëdhënieve nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes.
Gjithashtu, të dhënat e vitit të kaluar dëshmojnë  se roli preferencial, parësor dhe prioritar i bashkëpunimit ekonomik e tregtar me këto dy vende, jo vetëm që ka mbetur, por është rritur.
Kështu: Italia vazhdon të jetë partneri preferencial, dhe investitori më i rëndësishëm për Shqipërinë, prezente që nga viti 1991, duke filluar nga ndihmat humanitare ushqimore dhe duke arritur në ditët e sotme, në financime të projekteve të ndryshme, implementimi i të cilave i shërben zhvillimit ekonomik e social të vendit, si:
 
- Sektori i infrastrukturës dhe shërbimeve publike, i cili përfaqëson ndërhyrjet në sektorin energjetik, sektorin e transportit, zhvillimin urban dhe rural dhe ambientin.
-  Zhvillimi i sektorit privat, i cili përfaqëson mbështetjen në procesin e privatizimit të sektorëve strategjike të ekonomisë, mbështetjen e SME-ve, si dhe programet bujqësore.
-  Zhvillimi i burimeve njerëzore dhe shërbimeve sociale, i cili përfaqëson mbështetje për sistemin shëndetësor, mbështetje për sektorin e arsimit, shërbimet sociale dhe burimet njerëzore.
- Zhvillimi institucional, i cili përfaqëson mbështetjen për institucionet.
* * *
Gjithashtu, Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Shkëmbimet tregtare, në përgjithësi kanë pasur një stabilitet, me tendencë gjithmonë në rritje (sipas shifrave në vlera absolute), si në eksport ashtu edhe në import. Eksportet drejt Italisë për vitin 2007 zënë 68% të totali të eksportit shqiptar dhe dominohen në mbi 75% nga prodhimet me material porositësi (fason) sidomos në grupin e tekstil-konfeksione dhe të veshjeve të këmbës, peshk etj. ndërsa nga prodhimi i brendshëm eksporti drejt Italisë është dominuar nga kromi dhe xeherore kromi, gurë të ndryshëm, bimë medicinale, perime të freskëta, domate, peshk i freskët etj.
Importet në shkëmbimet totale tregtare me Italinë për vitin 2007 zënë 60.7% të volumit tregtar dhe 27% të importit total të Shqipërisë, të cilat përbëhen kryesisht nga artikuj të konsumit me pakicë si ushqime, veshmbathje, enë-kuzhine, mobilieri si dhe karburante e vajra lubrifikuese, importet italiane me destinacion prodhimin, investim janë kryesisht, pajisje për restorante, mekanike bujqësore etj., ndërsa importi për përpunim aktiv zë rreth 26 % ndaj totalit të importit. Viti 2007 vlerësohet me një rritje jo shumë të ndjeshme si në eksport ashtu edhe në import, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2006, ndërsa struktura e mallrave ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Një fenomen është vërejtur për vitin 2007, se kooperimi me fason në fushën e tekstil-konfeksion me partnerët italianë rezulton me një rënie të lehtë si pasojë e konkurrencës kineze në këtë sektor. Edhe për 6-mujorin e parë të vitit 2008 volumi i shkëmbimeve tregtare me Italinë ka pësuar rritje në masën 12% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importet në shkëmbimet totale tregtare me Italinë për këtë 6-mujor zënë 60.2% të volumit tregtar, me këtë vend dhe 27% të importit total të Shqipërisë, kurse eksportet përfaqësojnë 39.6% të volumit tregtar me Italinë dhe 64.1% të totalit të eksporteve të Shqipërisë. Edhe për 6-mujorin e parë të vitit 2008 vazhdon të ruhet e njëjta strukturë e mallrave si në eksporte dhe në importe. (Bashkëlidhur ju paraqitet për reference edhe tabela e shkëmbimeve tregtare).
Edhe Greqia vazhdon të ruajë një pozicion parësor në investimet e huaja direkte në Shqipëri, sidomos në disa sektorë të ekonomisë, si në telefoninë celulare, në sistemin bankar, në ndërtim, në shërbime, në industri, veçanërisht në sektorin e këpucëve dhe të konfeksioneve etj.
Gjithashtu, volumi i shkëmbimeve tregtare me Greqinë ka qenë dhe është në rritje.
Kështu, Greqia mbetet partneri i dytë tregtar direkt mbas Italisë dhe tendenca e shkëmbimeve tregtare ka qenë gjithmonë në rritje, në të dy komponentët, eksport dhe import.
Eksportet për vitin 2007 përbëjnë rreth 8.3 % të volumit me Greqinë dhe rezultojnë me rritje në masën rreth 10 % krahasuar me vitin 2006. Artikujt më dominantë në eksport për vitin 2007 janë: peshk dhe acuge, duhan i papërpunuar, artikuj letre e dosje, xeherore dhe koncentrate bakri prodhime gize e çeliku artikuj veshje me fason, alumin dhe mbetje të tij etj.
Importet gjithashtu, rezultojnë më një rritje në vitin 2007 me 16.3% dhe janë të dominuar kryesisht nga karburantet, çimento, veshjet dhe artikujt e veshjeve tjegulla dhe materiale të tjera ndërtimi, alumin i palidhur dhe profile alumini, prodhime gize dhe çeliku, cigare, birrë, fruta e perime të tjera etj.                                                             Për 6-mujorin e parë të vitit 2008 volumi i shkëmbimeve tregtare me Greqinë kap vlerën 283 mln euro dhe me një rritje 23 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këtyre që theksuam, po t'u shtojmë dhe përfitimet e tjera ekonomike e financiare, që Shqipëria përfiton nga bashkëpunimi rajonal i këtyre dy vendeve (projekte rajonale nga BE, Projekti ndërballkanik apo i fqinjësisë i Greqisë etj), si dhe të ardhurat nga reminitancat (nga emigrantët), ikona e rolit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe për rrjedhojë ndikimi e pasojat e krizës globale që ka prekur këto dy vende dhe ndikimet e tyre në vendin tonë nuk mund të mos konsiderohen. Por çfarë duhet bërë?...
 ME SHUME DIPLOMACI EKONOMIKE, ME SHUME BASHKËPUNIM
Panorama e partneritetit ekonomik e tregtar me këto dy vende dhe fakti që sektorë të ndryshëm të ekonomisë (që lidhen dhe me këtë bashkëpunim) tashmë janë prekur kërkon:
Së pari, zbatimin e masave dhe të programit të mbështetjes ekonomike e financiare brenda vendit, për sektorët e prekur nga kriza;
Së dyti, mbështetje sociale e financiare për grupet shoqërore që janë dhe do të preken më shumë nga kriza,
Së treti, vazhdimin e rritjes së "vigjilencës" në sektorin bankar, mbikëqyrjen, rregullat e kreditimit dhe bashkëpunimin me "bankat mëmë", (siç është rasti i konsultimeve të zhvilluara mes BSH dhe Bankës së Greqisë),
Së  katërti,koordinim efikas dhe masa të përbashkëta me ekonomitë, sektorin privat dhe institucionet ekonomike të Italisë e Greqisë (veçanërisht për sektorët e prekur, industria e fasonit, ndërtimit dhe degët e lidhura me të, shkëmbimet tregtare) etj.
Së pesti, për një "goditje" proporcionale nga papunësia (për shkak të krizës) të emigrantëve shqiptarë (në raport me vendasit dhe emigrantët nga vende të tjera) në Itali e Greqi.
Së gjashti, rritje e rrolit dhe efeciencës së diplomacisë ekonomike dhe hartimin e planeve të përbashkëta rajonale për përballimin e pasojave të krizës financiare globale.
Përballja me krizën financiare globale që ka prekur Shqipërinë dhe partneret e saj ekonomikë kryesorë kërkon më shumë ndërgjegjësim, përgjegjësi, angazhim dhe bashkëpunim. Momenti është tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›