FMN: Rritja ekonomike më pak se 3.5 %
Fabiola Çela
Qeveria nuk ka luksin që të ulë nivelin e taksave në vend. Kriza globale financiare ka dhënë efektet e saj negative edhe në Shqipëri e për pasojë rritja ekonomike këtë vit do të jetë më pak se 3.5 për qind. Ndërkohë që OSSH vazhdon të mbetet gropa e zezë e buxhetit të shtetit, shumë prej faturave të institucione shtetërore vazhdojnë të mos i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Në një intervistë për "Zëri i Amerikës" shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë Gervin Bell ka 'skanuar' të dhënat e ekonomisë shqiptare dhe ka paralajmëruar qeverinë për një ulje të mëtejshme të rritjes ekonomike.
Rritja ekonomike
Kriza financiare ndërkombëtare do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike të vendit. Për përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë edhe më e ulët se parashikimet e kryera nga fondi. "Për 2009-ën, në nëntor thamë se rritja ekonomike do të ishte 3.5 apo 4%. Tani na duhet ta ulim këtë shifër shumë më tepër për shkak se ekonomia botërore është përkeqësuar kaq shumë muajt e fundit". Pakësimi i të ardhurave nga emigrantët dhe ulja e eksporteve janë disa nga efektet e para që po ndjen Shqipëria. Kreditimi i pamjaftueshëm i ekonomisë mund të sjellë edhe më shumë probleme. "Ulja e ndjeshme e kreditimit apo shtrëngimi i kreditimit që po ndodh tani është serioz. Ulja e aktivitetit ekonomik mund të sjellë pakësim të mëtejshëm të grumbullimit të taksave. Janë këto dy aspekte të tjera që po i shohim dhe i kemi identifikuar si rreziqe", ka thënë Bell. Ndërhyrjen e vonuar të Bankës së Shqipërisë për të ulur normat e interesit, ndërsa shumë vende të tjera me probleme të kreditimit vepruan muaj më parë, zyrtari i FMN-së e justifikon me pritjen për t'u rivendosur normaliteti në sistemin financiar. "Pas ngjarjeve të tetorit kishte një farë hezitimi nga ana e depozituesve shqiptarë nëse do t'i mbanin kursimet e tyre në bankë dhe në fakt disa i tërhoqën. Banka e Shqipërisë veproi kur u stabilizua besimi. Por a do të jetë e mjaftueshme ajo për të nxitur kreditimin? Do të na duhet të presim", është shprehur ai.
Taksat
Qeveria nuk mund të ulë më nivelin e taksave. "Nuk mendoj se qeveria ka hapësirë për të bërë shkurtim taksash. Mbështetja që qeveria mund të japë tani për ekonominë është të jetë në gjendje të funksionojë pa probleme. Qeveria ka rënë dakord të shkurtojë deficitin buxhetor nën 4 për qind të GDP-së dhe nuk mund ta shtojë deficitin me shkurtimin e taksave", është shprehur përfaqësuesi i FMN-së Bell.
OSSH
Menaxhimi i Operatorit të Shpërndarjes të energjisë vazhdon të jetë në qendër të kritikave të ndërkombëtarëve. FMN-ja paralajmëron kundër një subvencioni tjetër në një kohë kur të ardhurat nga taksat janë të pakta dhe kur shpenzimet do të jenë shumë më strikte sesa ç'kanë qenë në të kaluarën. "Një aspekt mjaft negativ është se në një kohë kur u përmirësuan grumbullimet e faturave nga familjet dhe bizneset, ato nga institucionet publike nuk u përmirësuan aspak. Nëse qeveria nuk grumbullon dot faturat e veta ka diçka që s'shkon. Në anën e prodhimit, tarifat e shitjeve me shumicë janë shumë të ulëta krahasuar me koston. Kjo situatë do të kërkojë përsëri subvencione dhe do të rëndojë buxhetin". FMN-ja vazhdon të kërkojë rritjen e çmimit për të mënjanuar këtë gropë fiskale në buxhet.