E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Prej dy javësh, në Shqipëri teatër absurd

Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar seancën plenare të Kuvendit për të përshëndetur edhe njëherë qytetarët për votëbesimin që i dhanë mazhorancës në 8 maj ndërsa deklaroi sërish se kandidati i “aleancës për qytetarin” i fitoi zgjedhjet në Tiranë.
 

Duke folur në foltoren e Kuvendit, kryeministri Berisha theksoi se qëndrimi I qytetarëve e shndërroi 8 majin në një ditë të idelave europiane dhe në një ditë historike të demokracisë shqiptare.
 

“Është një kënaqësi e madhe shpirtërore se në keto zgjedhje votuan mbi 1.6 milion shqiptarë dhe kjo përbën një qetësim të një brenge 20 vjeçare. Kjo dëshmon që njerëzit në këtë vend kanë besim dhe janë të vendosur të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë” theksoi Berisha duke shtuar se mbështetja që shqiptarët I dhanë mazhorancës është edhe një përgjegjësi e madhe për të.
 

Ndërkohë duke iu referuar situatës paszgjedhore, kryeministri Berisha akuzoi kreun e PS-së Rama se po krijon tensione vetëm për karrigen e tij.
 

“Prej dy javësh vendi i shëmbëllen një teatri absurd. N.q.se qytetarët votuan në 8 maj në mënyrën më të civilizuar, më europiane pas kësaj dite ndodhi rrethimi i KQZ-së, bllokime rrugësh dhe ultimatume dhe kërcënimes. Të gjitha këto me një arsye të vetme sepse dikush kërkon me çdo kusht të mos respektoj votën e qytetarëve” theksoi Berisha.
 

Kryeministri Berisha gjithashtu i bëri thirrje kreut të PS-së Rama që të deklaroj se do të presë verdiktin e kolegjit zgjedhor ndërsa shtoi se mazhoranca është e vendosur të mbrojë votën me forcën e ligjit.
 

“E ftoj Ramën të deklaroj se pret verdiktin dhe të shfrytëzojë potenciale që ofron sistemi për të paraqitur të gjitha kërkesat, tu faktojë shqiptarëve se ku po i kryhet padrejtësia dhe jo të nxijë një proces që shperh vullnetin demokratik të mbarë shqiptarëve. Unë e garantoj Ramën se jemi të përgatitur për çdo kërcënim apo ultimatum dhe asnjë skenar nuk do ta shkelmojë votën e shqiptarëve pasi jemi të vendosur ta mbrojmë votën me forcën e ligjit” theksoi më tej Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›