E Diel, 1 Nëntor 2026

Jorida Tabaku: “Çdo përpjekje për të dëmtuar procesin zgjedhor, dëmton të ardhmen europiane të Shqipërisë”

26-05-2011 / Gazeta 55

“I kujtojmë Partisë Socialiste, se Europa nuk kërkon të shohë se kush fitoi apo kush humbi, por nëse procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të ndershme, transparente dhe sipas ligjit”.
Kështu deklaroi dje kandidatja e Partisë Demokratike për këshillin bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, gjatë një deklarate për shtyp.
Duke shtuar se është dakord me Partinë Socialiste se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është jetik, ndërkohë që vazhdon procesi ligjor për të vendosur mbi rezultatin e ngushtë në zgjedhjet e Tiranës. “Çdo deklaratë e ndërkombëtarëve ka theksuar nevojën për vendime të bazuara në ligj, dhe jo sipas interesave politike. Ndërkombëtarët i kanë kërkuar të dy palëve politike, që të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri. Partia Demokratike është e angazhuar në këtë drejtim”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, çdo përpjekje për të dëmtuar procesin ligjor, duke ushtruar trysni ndaj kolegjit zgjedhor apo KQZ-së, në mënyrë që vendimet të merren mbi interesa politike, dhe jo bazuar në ligj, vetëm sa dëmton integrimin europian të Shqipërisë.
“Partia Demokratike beson tek Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligjet Ndërkombëtare, që thonë se çdo votë është e barabartë dhe se çdo votë duhet vlerësuar drejt. Përse Edi Rama vazhdon ta mjegullojë çështjen, në vend që të pranojë se ai ka frikë nga respektimi i këtyre parimeve. Sepse ai ka frikë nga vendimet e institucioneve të pavarura, nga numërimi i çdo vote, nga dëgjimi i zërit të çdo qytetari”, deklaroi më tej kandidatja e Partisë Demokratike për këshillin bashkiak të kryeqytetit, Jorida Tabaku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›